Ilaçi i ri për kancerin e pankreasit, Kurtishi: Po sjellë shpresë për pacientët


Kanceri i pankreasit vazhdon të konsiderohet një nga format më agresive dhe më sfiduese të sëmundjeve malinje, kryesisht për shkak se në shumicën e rasteve diagnostikohet në faza të avancuara. Megjithatë, zhvillimet e fundit në onkologji po sjellin arsye për optimizëm.
Në episodin e 77-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, onkologu dhe drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi foli për një ilaç të ri eksperimental që po konsiderohet një nga përparimet më të rëndësishme të viteve të fundit në trajtimin e kësaj sëmundjeje.

Sipas Kurtishit, të dhënat e prezantuara në Kongresin Amerikan të Onkologjisë (ASCO) në Chicago tregojnë se ilaçi ka arritur të zgjasë jetën e pacientëve me kancer të avancuar të pankreasit, të cilët kishin shteruar mundësitë standarde të trajtimit me kimioterapi.
- YouTube www.youtube.com
Ai tha se pacientët që morën pjesë në studimin klinik jetuan mesatarisht gjashtë deri në nëntë muaj më shumë krahasuar me ata që nuk e përdorën këtë terapi.
“Ky është një medikament shumë premtues dhe rezultatet kanë ngjallur interes të madh në komunitetin shkencor. Të dhënat janë publikuar nga faza e tretë klinike dhe pritet që shumë shpejt të merret vendimi për përdorimin e tij në praktikën e përditshme mjekësore”, tha Kurtishi.
Ai shpjegoi se onkologjia moderne po largohet gjithnjë e më shumë nga trajtimet e përgjithshme dhe po orienton terapinë sipas karakteristikave gjenetike të tumorit.

Kurtishi theksoi se një nga objektivat kryesore të mjekësisë moderne është që disa forma të kancerit të menaxhohen si sëmundje kronike, duke u mundësuar pacientëve të jetojnë më gjatë dhe me cilësi më të mirë jete.
“Qëllimi është që sëmundja të mbahet nën kontroll, njësoj si diabeti apo hipertensioni”, u shpreh ai.
Duke folur për situatën në Kosovë, drejtori i Klinikës së Onkologjisë tha se vendi ndjek standardet evropiane për aprovimin e barnave të reja dhe se ekziston mundësia që pacientët kosovarë të përfitojnë nga ky ilaç pasi të marrë miratimet përkatëse ndërkombëtare dhe kombëtare.
Ai shtoi se Kosova duhet të vazhdojë të mbetet në hap me zhvillimet moderne në trajtimin e sëmundjeve malinje.
Kurtishi foli edhe për sfidat e diagnostikimit të hershëm të kancerit të pankreasit.
Sipas tij, sëmundja shpesh nuk jep shenja të qarta në fazat fillestare, gjë që bën që shumica e pacientëve të paraqiten te mjeku kur tumori është tashmë i avancuar.
Ai përmendi si simptoma të mundshme dhimbjet e barkut, çrregullimet e metabolizmit të sheqerit, humbjen e peshës, problemet me tretjen, si dhe zverdhjen e lëkurës dhe syve në rastet kur tumori bllokon rrugët biliare.
Sa i përket faktorëve të rrezikut, onkologu përmendi konsumimin e duhanit, abuzimin me alkoolin, inflamacionet kronike të pankreasit, predispozitën gjenetike dhe stilin jo të shëndetshëm të jetesës. Megjithatë, ai theksoi se mbajtja e një stili të shëndetshëm jetese mund të ndihmojë në uljen e rrezikut dhe forcimin e sistemit imunitar. /Telegrafi/
- YouTube www.youtube.com





































