LAJMI I FUNDIT:

Pse duhet falënderuar Edi Rama

Pse duhet falënderuar Edi Rama
Ilustrim

Sot jam i bindur se shumëkush mund ta quajë Ramën një frikacak. Sot jam i bindur se të tjerë do ta asociojnë vendimin e tij për t’u tërhequr nga Kavaja, me qindra ankthet e tij të përhershme. Sot jam i bindur se shumëkush do ta kritikojë si liderin që ka ngritur një shtet prej letre, të magjishëm në propagandë, por që nuk përballet dot me ata pak çadramanë që i tremben reformës në drejtësi.

Sot Edi Ramën nuk do e marrin mëri vetëm të vetët.


Më të do të tallen pëdëistët që do të bërtasin “fitore” për një ndeshje që e fituan pa e luajtur akoma. Atë do ta përbuzin demokratë e Laçit dhe Mamurrasit si një burë që nuk ka guxim ta ruajë kullën e tij. Mbi të do bien romuzet e atyre që u ka prishur shtëpitë, që i ka burgosur për faturën e dritave, që i ka përmbysur tezgat me prasë, duke u sjellë si një zbatues harbut i ligjit.

Sot i marr me mend të gjitha këto, e ndjej zemërthyerjen e socialistëve fanatikë, e imagjinoj triumfin ngadhënjyes të çadristëve të ndërkryer, e parandjej zhgënjimin e atyre që jetuan me iluzionin se kishin gjetur një lider i cili nuk bënte kompromis me ligjin dhe zbatimin e tij.

Por, pavarësisht nga këto, sot jam i bindur se Edi Rama duhet falenderuar.

Po, po, edhe ashtu frikacak, i paburrë dhe i zbythur si mund t’u duket disave, sërish duhet falënderuar.

Ajo që ka bërë sot është e njëjtë me të vetmin akt fillestar që i është përmbajtur që prej ditës së parë të qeverisjes së tij: Asaj kur hoqi gardhin e Kryeministrisë.

Duke qenë njëri nga ata që ka mbrojtur me forcë idenë se për të mbrojtur atë gardh nuk mund të justifikohej vrasja; duke patur bindjen se sado gabim ta ketë një turmë, një Kryeministër nuk mund të qëllojë me plumba për hir të nderit të vet; duke këmbëngulur se aq më pak këtë të drejtë e ka një lider kleptokrat dhe abuziv, mendoj se Edi Rama bëri këtë të premte një nga aktet më të mira të qeverisjes së tij.

Ai nuk lejoi që në Kavajë të bëhej 21 janari i tij.

Ai pranoi ta tallin si frikacak, ta përbuzin si të pabythë, ta përqeshin si ankthioz, duke refuzuar ta respektojnë si vrasës dhe t’i përkulen si i fortë.

Por, thënë këtë, pra pavarësisht se për tërheqjen e tij aspak të lavdishme ai duhet lavdëruar, duhet pranuar gjithashtu se vendimi për të tërhequr kandidatin e Kavajës, e nxjerr zbuluar Edi Ramën.

Tërheqja përballë presionit për atë që mund të bënte PD-ja të dielën, na nxjerr në pah Ramën e vërtetë që kemi njohur. Në Kavajë për të nuk kishte rëndësi as data e zgjedhjeve dhe as zbatimi i ligjit. Ashtu si gjatë gjithë negocimit të kësaj krize, ai ka qenë i gatshëm të negociojë shumë gjëra. Ai ka qenë i prirur të diskutojë për President konsensual, t’i japë opozitës KQZ-në, të fusë në paketë edhe Avokatin e Popullit, të falë gjysmën e qeverisë, të shkatërrojë “policinë që duam”, dhe ta bëjë Kodin Zgjedhor edhe njëherë lesh e li.

Vetëm për një gjë ai nuk ka pranuar kurrë të diskutohet: për karrigen e tij.

Këtë tregon edhe tërheqja e lavdërueshme e Kavajës. Retorikat me data kushtetuese dhe kushte të panegociueshme janë fjalë boshe. Rama fal gjithçka përpos Kryeministrit. Nga ai post ai ka frikë të largohet. Dhe ky është paradoksi i kësaj fabule: frika e tij, që rezultoi një festë për Kavajën është një tragjedi për 18 qershorin. /Lapsi.al/