LAJMI I FUNDIT:

Pse brezit të ri i duhet mendimi kinez, krah atij grek dhe romak?

Pse brezit të ri i duhet mendimi kinez, krah atij grek dhe romak?

Roel Sterckx

Gjatë vizite të kohëve të fundit në një shkollë të mesme në Angli, u tregova një grupi 15-vjeçarësh, një foto të Portës së Paqes Qiellore që të çon në hyrjen e Qytetit të Ndaluar në Pekin. Mbi portë qëndron varet një prej portreteve më të qarkulluar të Mao Cedunit (Mao Zedong). Vendosur mes dy pankartave, që shkruajnë “Rroftë Republika Popullore e Kinës” dhe “Rroftë Uniteti i Madh i Popujve të Botës”, Mao vështron i qetë drejt Sheshit Tiananmen.

I pyeta studentët nëse e njohin skenën apo zotërinë që ndodhet mbi hyrje. Disa prej tyre u përgjigjën: “Ngjan si aziatike, ndoshta diku në Kinë apo Japoni”. Një grusht prej tyre pikasën që ishte Qyteti i Ndaluar – njëri kish qenë atje së fundmi – por vetëm tre prej tyre e identifikuan Maon me emër dhe ishin në gjendje të shtonin një koment të shkurtër, ku fjala kyçe ishte “komunizëm”.

Kjo përgjigje e varfër nuk më habiti. Azia Lindore pak, shumë pak vend zë në kurrikulën shkollore britanike, përtej vendit të saj në një narrativë të historisë perandorake, apo historisë së Luftës së Ftohtë. Ata që përfundojnë shkollën e mesme në Britaninë e Madhe, në rastin më të mirë mund ta asociojnë Kinën me Luftërat e Opiumit, revolucionin, komunizmin, Hong Kongun apo Murin e Madh, ndërsa shumë pak bëjnë lidhje me Luftëtarët e Trakotës apo Luftën e Dytë Botërore.

Ndërsa politikanët që mbështesin Brexit-in, entuziasmohen për angazhimin me pjesën tjetër të botës dhe se si Britania e Madhe do të përfitojë prej marrëveshjeve tregtare me Kinën, apo të bëhet një Singapor i dytë, brezi i ngarkuar për të bërë këto ide realitet është i keqshërbyer teksa i mësohet pothuaj asgjë në lidhje me vlerat themelore sociale, politike dhe filozofike që kanë formësuar Kinën për shekuj të tërë. Ndërkohë, media britanike e lidh Kinën me një seri të kufizuar memesh: një superfuqi autokratike në rritje, që kërcënon Perëndimin përmes luftërave tregtare dhe spiunazhit industrial.

Ndonëse politikanët dhe mësuesit e pranojnë gjithnjë e më shumë vlerën e të mësuarit të gjuhës kineze, shumë pak prej tyre e kuptojnë se të gjithë mund të përfitojmë nga studimi i Kinës, përtej të shkuarës së saj të afërt, si dhe jashtë kuadrit të kontakteve sino-perëndimore. Ne kemi filluar të mësojmë kinezçe, por nuk arrijmë të mendojmë kinezçe.

Nëse i hedh një sy historisë së Kinës, mund të thuash se ideologjitë e Kinës së shekujve XX dhe XXI kanë patur një rol relativisht të vogël në formësimin e pikëpamjes botërore dhe ADN-së kulturore të shoqërisë kineze sot.

Disa prej ideve të saj themelore mbi pushtetin, udhëheqjen dhe besnikërinë janë formuar në epokën klasike, në mësimet e mjeshtërve të filozofisë, disa prej të cilëve jetuan 25 shekuj përpara themelimit të Republikës Popullore në vitin 1949. Nevoja për një etikë pune të fortë, rëndësia e familjes, respekti për autoritetin, prindërit dhe më të rriturit – këto janë trashëgimi e Konfuçit (551-479 p.e.s.) dhe ndjekësve të tij.

Këto tekste të lashta informojnë jo thjesht se si njerëzit të jetojnë jetën e tyre, por edhe qasjet e atyre që kanë pushtet. Fiksimi kinez me arsimin, si një mënyrë për të përmirësuar veten dhe shoqërinë, për shembull, është i ngulitur me një autoritet pothuaj biblik në tekstet klasike, të cilët ishte kërkesë e detyrueshme që të lexoheshin nga çdo zyrtar që dëshironte të kalonte provimet e shërbimit civil, deri në fillimet e shekullit XX.

Filozofët e Kinës së lashtë dhe tekstet e tyre citohen dhe përmenden në diskurset publike në Kinë, po aq sa dhe Shekspiri dhe Makiaveli janë shndërruar në mbiemra në gjuhën angleze. Ideali i “shoqërisë në harmoni”, ku uniteti dhe kohezioni mbizotërojnë, mbi ambicien individuale, nuk u shpik prej politikanëve të sotëm të Kinës që e trumbetojnë shpesh – as edhe bindja që shoqëria udhëhiqet më mirë nga një monark apo lider, as edhe nocioni që shteti është një zgjatim i familjes që udhëhiqet nga një baba i kombit. Konfuçi e thoshte që në kohën e tij, se është më mirë ta menaxhosh, sesa ta shtypësh dëshirën njerëzore për pasuri, gjë e cila ngjan si një thirrje për të përshtatur kapitalizmin në një shoqëri socialiste.

Sot, ndërsa Kina modernizohet dhe ndërton rrugë e komplekse banimi, arkeologët zbulojnë dorëshkrime në bambu që kanë mbetur të fshehura për më shumë se 2000 vite. Dokumente ligjore nga koha e perandorit të parë, Qin Shi Huang (i cili sundoi në fundin e shekullit të tretë p.e.s.), zbulojnë një mjedis institucional ku shteti tashmë e mikro-menaxhonte sferën private të jetëve të njerëzve, në detaje të konsiderueshme.

Praktika të tilla janë shumë të ngjashme me qeveritë që mbledhin të dhënat elektronike të njerëzve, apo me monitorimin e gjurmëve digjitale të qytetarëve. Të dyja nuk janë aspak unike për Kinën: thjesht zëvendësojeni qeverinë me Facebook apo Google dhe zëvendëso “nënshtetas” me “konsumator”.

Nuk u vë dot faj atyre adoleshentëve që nuk identifikojnë dot Maon; në fund të fundit, disa prej tyre mund të hutohen njësoj, përballë një portreti të Oliver Cromwell-it apo Margaret Thatcher-it. Por, nëse angazhimi ynë me Kinën duhet të shkojë përtej një romance ekonomike afatshkurtër, të gjithë do të përfitojmë nëse prezantojmë brezin tonë të ardhshëm, me Mendimin Kinez, krah atij Grek dhe Romak. /World Histories/Bota.al/