LAJMI I FUNDIT:

Pse Basha qëndroi më gjatë në takim te Nishani

Pse Basha qëndroi më gjatë në takim te Nishani

Takimi me dyer të mbyllura dhe larg mediave mes dy liderëve të politikës shqiptare, kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha në tryezën e përbashkët, thirrur nga Presidenti i Republikës, zgjati për mbi tre orë.

I pari në selinë e Presidentit Bujar Nishani, në orën 10:00, mbërriti kryeministri Edi Rama, i cili përshkoi në këmbë rrugën nga Kryeministria, ku ndodhet edhe çadra e protestës dhe hyri në selinë e kreut të shtetit për takimin me kryetarin e Partisë Demokratike. Rama shoqërohej nga Gramoz Ruçi dhe Sekretari i Përgjithshëm Engjëll Agaci, i cili përpara Presidencës është larguar. Rama dhe Ruçi hynë brenda për takimin.


Pak më vonë, në Presidencë mbërriti Lulzim Basha. Të dy udhëtonin me një automjet dhe së bashku u futën në selinë e kreut të shtetit për takimin.

Për këtë takim, u lejua vetëm një mundësi e shkurtër për foto dhe pamje filmike dhe gjatë kësaj kohe nuk pati asnjë shtrëngim duarsh. Kamerat janë lejuar të filmojnë më pak se 2 minuta këtë takim, mjaftueshëm sa për të kuptuar se dy liderët kanë shmangur përgjatë kësaj kohe çdo shikim mes njëri-tjetrit.

Por, buzëqeshjet e shkëmbyera me Presidentin e Republikës nuk kanë munguar dhe kreu i shtetit edhe përgjatë këtyre minutave ka luajtur rolin e negociatorit duke biseduar herë me njërin e herë me tjetrin, ndërsa Paloka dhe Ruçi nuk janë bërë pjesë e bisedave të shkurtëra. Të katërt kanë mbërritur në tryezën e negociatave të Presidentit të Republikës me një dosje përpara, të cilin Basha nxitoi ta hapë përpara mediave.

I pari që ka lënë zyrën e Presidentit Nishani ka qenë kryeministri Edi Rama, i cili sërish në këmbë i është drejtuar selisë së Kryeministrisë, shoqëruar nga Ruçi. Shumë pranë çadrës së opozitës, Rama ka përshëndetur protestuesit duke nxitur reagimin e tyre.

Lulzim Basha është larguar nga Presidenca rreth 50 minuta pas largimit të Ramës, pasi ka qëndruar në një takim kokë më kokë me kreun e shtetit, për tu larguar rreth orës 14:00 me Edi Palokën. Ende asnjë detaj nga takimi nuk dihet, por nga oxhaku i Presidencës nuk ka dalë as tym i bardhë e as i zi. /Telegrafi/