LAJMI I FUNDIT:

PSD: E dënojmë ndërhyrjen brutale të kryeministrit ndaj Këshillit Shtetëror të Cilësisë

PSD: E dënojmë ndërhyrjen brutale të kryeministrit ndaj Këshillit Shtetëror të Cilësisë

Deputeti nga radhët e PSD-së, Dirton Çaushi, në një konferencë për media ka thënë se reagimet kundër vendimit të Këshillit Shtetëror për Cilësi lidhur me heqjen e akreditimeve të tri universiteteve publike dhe disa private, sipas tij kanë qenë presion për këtë institucion.

Ai ka thënë se lidhur me këtë është kërkuar mbledhje urgjente e komisionit për Arsim.


“Ajo që është me rëndësi ka të bëjë me reagimet që kanë pasuar pas vendimit të KshC-së. Kemi pasur qëndrime të papranueshme dhe presion në këtë institucion që gëzon pavarësi në funksionimin e tij. Ne si PSD kemi kërkuar mbledhje urgjente të komisionit për Arsim lidhur me këtë”, ka thënë ai.
Çaushi ka thënë se është e papranueshme ndërhyrja e kryeministrit Haradinaj në këtë vendim.

“E konsiderojmë të papranueshme dhe e dënojmë ndërhyrjen brutale të kryeministrit, zv.kryeminsitrit, ministrit dhe figurave tjera ndaj një institucioni të pavarur dhe me autonomi të plotë. Ky sulm nuk mund të cilësohet ndryshe përveç se edhe një ndërhyrje e rrezikshme politike në sistemin arsimor. Kryeministri ka dal duke e sulmuar publikisht këtë institucion në emër të mbrojtjes së sistemit arsimor. Është e papranueshme të ndërhyhet”, ka theksuar ai, transmeton Telegrafi.

Ndër të tjera ai ka përmendur edhe zgjedhjen e rektorit në universitetin e Gjakovës, ku ka thënë se në këtë rast do të duhej të ndërhynte kryeministri.

“E kemi një rast para disa ditësh ku ka qenë rast për kryeministrin që të mbrojë institucionet e arsimit të lartë. Kemi pasur zgjedhjen për rektor të universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë të një partiaku të PDKS-së. Këtu do të duhej të ndërhynte kryeministri për ta mbrojtur arsimin”, ka theksuar ai duke shtuar se qytetarët janë të vetëdijshëm për gjendjen e rëndë në arsimin në përgjithësi por edhe në arsimin e lartë./Telegrafi/