LAJMI I FUNDIT:

Protestojnë zjarrfikësit për kushtet e punës (Foto/Video)

Protestojnë zjarrfikësit për kushtet e punës (Foto/Video)

Rreth 120 zjarrfikës nga tërë Kosova protestuan sot para ndërtesës së Qeverisë, në shenjë pakënaqësie me kushtet e punës dhe për mosrregullimin e statusit të tyre juridik, që ka të bëjë me caktimin e përgjegjësisë për ta, në nivel komunal apo qendror.

Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka, bëri të dikur se kërkesat e tyre të cilat i shprehën edhe sot, i kishin paraqitur në Qeveri në mënyrë të vazhdueshme mbi një dekadë.


Sipas tij, ende nuk është arritur ndonjë rezultat edhe përkundër disa takimeve me Qeverinë deri më tani.

“Në vazhdimësi na shkelen vite me radhë të drejtat. Në pamundësi që t’i zgjidhim problemet e zjarrfikësve, atëherë kemi zgjedhur që të protestojmë. Zjarrëfikëst janë shumë këmbmgulës në kërkesat e tyre dhe presim që ministritë të na thirrin në dialog. Kërkesat tona tashmë janë të njohura gati që një dekadë”, tha Beka, shkruan Telegrafi.

“Të rregullohet statusi juridik, të definohen kompetencat menaxhuese, të shqyrtohet ligji i pagave, për pozitën dhe koeficientin e zjarrfikësve, të sigurohet vijë buxhetore, të përmirësohen kushtet e punës, të sigurohen rroba mbrojtëse, pajisje dhe mjete për punë, të kompensohen ndërrimet e natës, festat shtetërore dhe orët jashtë orarit të punës, pagat e zjarrfikësve të nivelizohen me shërbimet tjera emergjente, të bëhet gradimi sipas funksionit, të sigurohet shujta e ngrohtë, të ngritët koeficienti, të harmonizohen pagat në nivel të komunave dhe të kompensohen kompensimet mjekësore për lëndime në punë, janë kërkesat tona. Apelojmë ta zgjidhim problemin, e jo të shkaktojmë probleme”, shtoi ai.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdini, tha se kërkesat e zjarrfikësve janë legjitime dhe se duhet të zgjidhen.

“Ju keni një mision të shenjtë, duke e rrezikuar jetën e juaj të shpëtoni jetët e tjera, por Qeveria nuk është duke e ditur këtë mision të juaj. Kërkesat e juaja janë legjitime dhe brengat e juaja duhet të definohen, sepse ju jeni pjesë e një personeli që e kryeni një punë të shenjtë”, tha Ajdini.

Ai tha se qeveritarët nuk duhet të japin vetëm premtime.

“Apelojmë qeveritarët që të dalin para punëtorëve dhe të zgjidhin problemet e zjarrfikësit. Mos të japin vetëm premtime, por t’i zgjidhin probleme”, tha ai. /Telegrafi/