LAJMI I FUNDIT:

Protestohet për shuarjen e divizionit të të pagjeturve në IML

Protestohet për shuarjen e divizionit të të pagjeturve në IML

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) dhe Sindikata e Shërbimit Civil të Kosovës po kundërshtojnë Rregullimin e Brendshëm të Organizimit dhe Sistematizimit që parasheh shuarjen e divizionit i cili është marrë me personat e pagjetur së bashku me dy sektorët, atë për identifikim dhe sektori për marrëdhënie me familjarët e personave të zhdukur.

Rreth kësaj çështje dy sindikatat mbajtën protestë ku paraqitën shqetësimet e tyre. Në emër të sindikatës së Shërbyesve Civil brenda Instituti të Mjekësisë Ligjore (IML)  foli, Arben Emini.


Emini i cili tha se qëllimi i mbajtjes së protestës është shkelja e procedurave gjatë procesit të miratimit të Rregullores së Brendshme të Organizimit dhe Sistematizimit, foli edhe për shuarjen e divizionit për të pagjeturit.

“Arsyeja e mbajtjes së kësaj proteste është shkelja e procedurave gjatë gjithë procesit për miratimin e rregullores për Organizim të Brendshëm dhe Sistematizimin e Institucionit të Mjekësisë Ligjore. Nuk janë përfill propozimet nga shumica e anëtarëve të grupit punues ku është proceduar në kundërshtim me opinionin e profesionistëve mjeko ligjor, anëtar të grupit punues. Ku të njëjtit janë atakuar në mënyrë individuale nga drejtori i IML. Nën tre kemi abuzimin me deklaratat rreth standardeve se kinse është duke u bërë rregullimi në përputhshmëri me standardet ndërkombëtare ku në të vërtetë është degraduar struktura ekzistuese që vazhdimisht kanë treguar performancë të lartë ndër vite”, tha Emini në një konferencë për media që mbajti para Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML).

Me ç‘rast Emini thotë se këto shkelje të procedurave paraqesin edhe pasoja.

“Pasojat e pritura nga shkeljet e lartpërmendura janë: pasiguria ligjore, tendenca për abuzim, degradim dhe shkelje të integritet profesional, dëmtim i procesit për personat e zhdukur duke i dhënë goditjen përfundimtare, humbja e elementit e të quajtur institut duke shuar divizione për hulumtime, krijimi i mos besueshmërisë së palëve të jashtme për procese dhe ekzaminime që kryhen në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, potencoi Emini.

Sindikatat kanë paraqitur edhe kërkesat e tyre. Njëra nga kërkesat ishte shfuqizimi i rregullores siç e quajnë ata të jashtëligjshme.

“Kërkesa jonë është shfuqizimi i rregullores së jashtëligjshme, krijimi i grupit punues përputhshmëri me rregulloren për standardet e Organizimit të Brendshëm, sistematizimin e vendeve të punës dhe bashkëpunimin me institucionet e administrativë shtetërore dhe agjencitë e pavarura në përbërje nga profesioniste kompetent dhe duke u monitoruar nga sindikatat e IML. Të sqarohet pozicioni i institutit të Mjekësisë Ligjore. Ndalim urgjent të profesionit, kërcënimit ndaj punëtorëve të IML-së. Dhe e fundit të merren masa ndaj personave që kanë krijuar këtë situatë në IML”, kërkoi Emini.

Për Eminin është ende e pabesueshme shuaja e divizionit për personat e pagjetur.

“Emini sa i përket çështjes së personave të zhdukurve brenda IML besoni që ende nuk po mund të besoj për këtë zhbërje apo komplet shkatërrim të strukturës që është marrë me çështjen e personave të zhdukur dhe ende është duke u marrë për momentin sepse në janar kjo rregullore hyn në fuqi. Asi degradimi ka ndodhë përgjithësi struktura dy divizione janë zhduk dhe të gjitha janë futur në një divizion në kuadër të rregullores së re. Neve na u është marrë një përgjegjësi të cilën kemi mujt e dhënë gjithmonë ku jemi kon dhe dëshmitarë të shumë parregullsive Është shkatërruar një filet që ka ekzistuar në fillimin e çdo procesi sa i përket personave të zhdukur. Si fillimi i zhvarrimit, te autopsia , te dosjet, pra ka qenë një proces që ka kaluar nëpër filtrime. Tash ky filtër është shkatërruar. Tash u bë një pasiguri e brendshme këtu se çka më tej”, theksoi Emini.

Nardi Sheqerxhiu nga Federata e Shëndetësisë tha se problemet në IML janë të kamotshme dhe se për këto probleme janë ngritur shqetësime në vazhdimësi.

“Problemet në IML janë të kamotshme dhe për këto probleme janë ngritur shqetësime në vazhdimësi dhe tani që është kulmuar kjo në bazë të një rregullore për shuarjen e divizioneve dhe departamentit në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ne si sindikatë e shërbimit civil të Kosovës në bashkëpunim me sindikatën federale të Shëndetësisë kemi dalë të mbështesim kërkesat e shoqatës sindikale të IML të cilat kërkesat mendojmë që janë shumë të drejta dhe të arsyeshme dhe është një apel për të gjitha institucionet që asnjëherë mos të merren me ndryshime dhe shantazhe të ndryshme pa leje dhe pa pëlqimin e zyrtarëve që drejtpërdrejt punojnë në lëmin e caktuara”, tha ai. /Telegrafi/