LAJMI I FUNDIT:

Protestohet në Prishtinë, punëtorët e sektorit privat kërkojnë rritje të pagave dhe trajtim të barabartë

Protestohet në Prishtinë, punëtorët e sektorit privat kërkojnë rritje të pagave dhe trajtim të barabartë

Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës ka nisur protestën me një minutë heshtje për punëtorët që kanë vdekur në vendin e punës gjatë këtij viti.

Me rastin e 1 Majit – Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, protestuesit e sektorit privat kanë kërkuar rritjen e pagës minimale 450 euro, nënshkrimin e Kontratës Kolektive, trajtim të barabartë të punëtorëve me sektorin publik dhe fond për punëtorët që humbin jetën dhe ata që lëndohen në vendin e punës.


Protestuesit kanë mbajtur në duar disa pankarta me mbishkrime “Rritni pagat”, “S’punojmë më për 200 euro”, “Qeveri nënshkruani marrëveshjen kolektive”, “Duam të drejtat tona” dhe “Kërkojmë rritjen e pagave”.

Kryesindikalisti, Jusuf Azemi ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës t’i mbajë premtimet e dhëna gjatë fushatës për punëtorët e sektorit privat, sepse sipas tij puna karshi sektorit privat është zero.

Protesta dhe aksion simbolik për 1 Maj, Azemi: Punëtorët e sektorit privat nuk kanë asnjë shpresë në Kosovë
Lexo po ashtu Protesta dhe aksion simbolik për 1 Maj, Azemi: Punëtorët e sektorit privat nuk kanë asnjë shpresë në Kosovë

“Do të kishim pas dëshirë të festojmë edhe ne sot, por nuk dolëm sepse pronarët e kompanive dhe qeveria nuk po na lejojnë këtë. Nuk mund të dalim e të festojmë sikur ata për vete, sepse së paku ata nuk e kanë problem pagën, ata e kanë problem që ne kur ua prishim gjumin të na ironizojnë. Edhe ne kemi shpirt e duam të jetojmë e t’i gëzojmë fëmijët tanë, por ju nuk po lejoni. Qeveria ka premtuar gjatë fushatave për kushte më të mira ndaj sektorit privat, por nuk i ka mbajtur fjalët”, tha Azemi.

Ai u shpreh se vetëm për dy vitet e kaluara e kanë lëshuar Kosovën mbi 100 mijë punëtorë.

Ndryshe gjatë ditës në kryeqytet janë mbajtur dy protesta, dhe një aksion simbolik nga Partia Socialdemokrate. /KP/