Pronat shtetërore i kthej në private - arrestohet i dyshuari në Prishtinë për falsifikim dokumentesh

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Prishtinë nën dyshimin se gjatë periudhës 2021–2024 ka kryer disa vepra penale të rënda, përfshirë falsifikim dokumentesh, legalizim të përmbajtjes së rreme, mashtrim dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas raportit zyrtar, i dyshuari mashkull kosovar dyshohet se ka falsifikuar dokumente që lidhen me prona nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Përmes këtyre dokumenteve të falsifikuara në bashkëpunim me persona të tjerë, ai kishte arritur t’i barte pronat nga statusi shtetëror në pronësi private, për t’i shitur më pas tek blerës të mashtruar duke përfituar shuma të mëdha parash.
Gjatë operacionit policor janë bërë kontrolla në një shtëpi, tri banesa dhe dy garazha, ku janë konfiskuar dokumente të ndryshme që lidhen me falsifikimet, si dhe pajisje që janë përdorur për prodhimin e dokumenteve të rreme.
Po ashtu, policia ka sekuestruar një pistoletë me 103 fishekë, një telefon celular, një orë dore Rolex dhe një zinxhir dore Rolex.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kompetent i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet po vazhdojnë për identifikimin e personave tjerë të përfshirë në këtë rast. /Telegrafi/













































