LAJMI I FUNDIT:

Prokuroria Speciale me aktakuzë për terrorizëm

Prokuroria Speciale me aktakuzë për terrorizëm

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurit, N.A, për veprën penale “Organizimi dhe Pjesëmarrja në Grup Terrorist” nga neni 143 paragrafi 2, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri N.A., i është bashkuar organizatës terroriste të quajtur “Al-Nusra” në janar të vitit 2014.


I pandehuri duke shfrytëzuar rrugën ajrore përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” ka udhëtuar për në Stamboll-Turqi, e pastaj nga ky vend ka udhëtuar për në qytetin Gazientep (qytet afër kufirit me Sirinë). Prej aty i pandehuri N.A., ka arritur të kaloi në territorin e Sirisë, ku është bërë pjesë e organizatës terroriste “Al Nusra”, i cili pas qëndrimit një javor në Siri është kthyer në Kosovë përmes rrugëve të njëjta.

Ndërsa, kur i pandehuri N.A., sërish ka provuar të shkojë për në Siri duke shfrytëzuar rrugën Shkup-Stamboll, në aeroportin e Stambollit autoritetet turke e ndalojnë, e pastaj e dëbojnë për shkak të lidhjes së tij me zonën e luftës.

Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist nga neni 143, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Aktakuzën e ka ngritur një prokuror vendor i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili i ka propozuar gjykatës kompetente që të pandehurin ta shpallë fajtor për veprën e kryer penale dhe ta dënojë sipas ligjit. /Telegrafi/