Projekti për nënkalimin në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë është refuzuar për të dytën herë nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM), me arsyetimin se rrezikon trashëgiminë kulturore të Qendrës Historike të qytetit.

Ky projekt ishte njëri nga premtimet kryesore të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, por ka hasur pengesa, pasi lokacioni cenon shtatë monumente që gjenden përreth.


Komuna e Prishtinës jep tender rreth 6 milionë euro për ndërtimin e nënkalimit në rrugën "Agim Ramadani"

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës në IKMM, Rrezarta Loxha-Vitaku, ka shpjeguar për Telegrafin mangësitë profesionale dhe teknike që, sipas vlerësimit të institucionit, e bëjnë projektin të papranueshëm në formën aktuale.

“Lokacioni i propozuar për nënkalim në rrugën Agim Ramadani gjendet në hapësirën e Qendrës Historike të Prishtinës. Qendra historike e Prishtinës është aset i trashëgimisë kulturore në mbrojtje ligjore, e përcaktuar në kategorinë trashëgimi arkitekturore, nënkategoria – fushë e konservimit arkitektural”, tha ajo.

“Hapësira e qendrës historike në mbrojtje është e përcaktuar me dy kufij: perimetri dhe zona e mbrojtur/mbrojtëse. Në këto hapësira, të gjitha ndërhyrjet të çfarëdo lloj natyre nënshtrohen studimeve dhe planifikimeve të konservimit dhe modifikimeve, sipas parimeve, rregullave dhe standarteve të përcaktuara në kornizën ligjore ndërkombëtare dhe nacionale. Ndërlidhur me këtë, Ligji nr. 02/L-88 për trashëgimi kulturore, neni 6, përcakton: Pika 6.5 – Ansamblet dhe hapësirat e konservuara arkitekturale nën mbrojtje mund të jenë në ambiente rurale ose urbane. Ndërtesat e përfshira në ansamble dhe hapësira të tilla janë të mbrojtura nga jashtë dhe përcaktohen si sipërfaqe të mbrojtura në pajtueshmëri me nenin 2 të Ligjit nr. 2003/14 për planifikim hapësinor dhe mund të klasifikohen si zonë e veçantë në pajtueshmëri me nenin 12 të të njëjtit ligj”.

Loxha-Vitaku theksoi se “IKMM, me komisionin profesional shqyrtues si organ kompetent për trashëgimi kulturore – arkitekturore, të gjitha kërkesat dhe projektet i shqyrton sipas rregullave të përcaktuara në legjislacionin e trashëgimisë kulturore. Në këtë kuadër është shqyrtuar dhe rishqyrtuar projekti për nënkalimin Agim Ramadani.

"Bazuar në zgjidhjen e ofruar, është konstatuar se përmbajtja e projektit përbën transformim rrënjësor fizik të terrenit, ndërhyrje që konsiderohet ndryshim i thellë invaziv dhe i përhershëm i profilit natyror të terrenit. Ndërhyrjet e tilla janë të ndaluara me aktin përkatës ligjor, Rregullore (MKRS) nr. 04/2024 për përcaktimin e perimetrit dhe zonës mbrojtëse të aseteve të trashëgimisë kulturore, Neni 31 – Aktivitetet e Ndaluara në Perimetra dhe Zona Mbrojtëse, pika 1.6”, potencoi ajo.

Loxha-Vitaku shtoi se: “Në hapësirat brenda perimetrit të asetit të trashëgimisë kulturore arkitekturore lejohen ndërhyrje konservuese dhe modifikuese për rigjenerim, përmes hartimit të studimit dhe planit përkatës, me ndërhyrje minimale (jo-invasive) që mbështesin nevojat bashkëkohore dhe nuk cenojnë autenticitetin dhe integritetin e asetit. Studimet hartohen nga ekipe të specializuara multidisiplinare për konservimin e qendrave historike, duke përfshirë planerë dhe arkitektë për konservimin urban”.

telegrafi.com

“Duke njohur gjendjen dhe nevojat për rigjenerimin e hapësirës së Qendrës Historike në Prishtinë, IKMM vlerëson se ka nevojë për rigjenerime të duhura. Për hartimin e studimeve dhe planit të mirëfilltë kërkohet zhvillimi i politikës dhe programit të përbashkët ndërmjet institucioneve të trashëgimisë kulturore dhe planifikimit hapësinor, siç përcaktohet në Ligjin për Trashëgimi Kulturore Nr. 02/L-88, neni 6, pika 6.6”, përfundoi ajo.

Loxha-Vitaku ritheksoi se “Ligji për trashëgimi kulturore është ligj me interes vital, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, neni 8, pika 5, dhe obligon të gjithë personat fizik e juridik, pronarët dhe institucionet publike për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, si pjesë integrale e territorit të Kosovës dhe vlerë e përgjithshme kombëtare (Ligji Nr. 04/L-174, Neni 1, pika 1)”.

Telegrafi ka kontaktuar edhe me Komunën e Prishtinës, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka marrë përgjigje. /Telegrafi/