LAJMI I FUNDIT:

Projekti ilegal “Lugina e Diellit” në veri po bëhet realitet

Projekti ilegal “Lugina e Diellit” në veri po bëhet realitet

Ka kohë që në Zveçan, në njërën nga komunat veriore të vendit, është duke u punuar për një lagje në të cilën do të banojnë serbët e zhvendosur.

I gjithë projekti është financuar nga Qeveria e Serbisë ndërsa investimi asnjëherë nuk është pranuar nga Prishtina zyrtare, shkruan Klan Kosova.


“Lugina e Diellit” ka nisur të ndërtohet në vitin 2016, ndërsa duket se shumë shpejt pritet të përfundojë – së paku sipas disa fotografive që janë shkrepur ditëve të fundit.

Lidhur me punimet e të ashtuquajturës ‘Lugina e Diellit’ në veri,  ministrja e atëhershme e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor (MAPH), Albena Reshitaj në prill të vitit 2018, kishte thënë se Inspektorati i Ministrisë ka kryer mbikëqyrje me proces verbal në Drejtorin e Urbanizmit në Zveçan, me ç ‘rast ka kërkuar nga kjo drejtori që të prezantojë dokumentacionin teknik rreth ndërtimit në fjalë.

Sipas saj, Drejtoria e Urbanizmit në ditën e inspektimit nuk ka qenë e gatshme të ofrojë dokumentacionin e kërkuar nga Inspektorati i MMPH-së, andaj është urdhëruar që Drejtoria e Urbanizmit të sjellë dokumentacionin e kërkuar në Ministrinë e Mjedisit në afatin e caktuar. /Telegrafi/