LAJMI I FUNDIT:

Programi për mbështetje financiare i nevojshëm në zhvillimin e sektorit privat

Programi për mbështetje financiare i nevojshëm në zhvillimin e sektorit privat

Në lansimin e programit për mbështetje financiare në fushën e inovacionit dhe ndërmarrësisë për bizneset e mesme dhe të vogla nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) zhvilloi aktivitetin e radhës me ministrin Besim Beqaj, duke synuar informimin më të hollësishëm rreth këtij programi për bizneset anëtare të saj.

Drejtori ekzekutiv i OEAK-ut, Arian Zeka, tha se ky program ka qenë i nevojshëm edhe më përpara si shtysë ndaj sektorit privat në Kosovë, duke përmendur po ashtu kërkesën e bërë nga komiteti i inovacionit të OEAK-ut për të pasur një qasje dhe vëmendje më të madhe ndaj fushës së inovacionit në Kosovë.


Ndërsa drejtori i Bordit të OEAK-ut, Ilir Ibrahimi, falënderoi ministrin për gatishmërinë e treguar në mbështetjen e fushës së inovacionit dhe mirëpriti lansimin e këtij programi rezultatet e të cilit ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik.

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, tha se financimi nga ky program synon kryesisht zhvillimin e sektorit privat, duke shtuar se me krijimin e politikave në këtë fushë dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike në vend.

Lansohet fondi për përkrahjen e bizneseve që promovojnë inovacionin (Video)
Lexo po ashtu Lansohet fondi për përkrahjen e bizneseve që promovojnë inovacionin (Video)

Beqaj njoftoi të pranishmit se ky program synon të financojë tri nivele të bizneseve sipas standardeve të Kosovës, biznese të mesme, të vogla dhe ato në fushën e inovacionit dhe bizneset fillestare, të cilat do të financohen nga 10 mijë euro deri në 100 mijë euro e që përfshijnë sektorë të ndryshëm dhe jo vetëm nga fusha e inovacionit.

Ai tha se përmes këtij programi synohet zhvillimi ekonomik në vend nga i cili do të gjenerohen po ashtu edhe vende të reja pune dhe njoftoi se gjatë javës së ardhshme do të publikohet koncept dokumenti për ligjin e inovacionit i cili përfshin bizneset fillestare, angel investors dhe inkubatorët, ndërsa përmendi se janë duke punuar në draftimin e Strategjisë për Ndërmarrësi dhe Inovacion.

Në vazhdim, pjesëmarrësit në këtë tryezë patën mundësinë të shfaqin pikëpamjet e tyre mbi këtë program, duke shtuar si të rëndësishme një iniciativë të tillë në mbështetjen e sektorit privat nga kjo ministri. /Telegrafi/