LAJMI I FUNDIT:

Programet e partive politike për arsim, ekspertët thonë se nuk kanë koncept të qartë

Programet e partive politike për arsim, ekspertët thonë se nuk kanë koncept të qartë
Foto: Arkiv

Disa nga partitë politike kanë shpalosur programin e tyre për arsim në kuadër të fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat do të mbahen më 14 shkurt.

Ekspertët e fushës së arsimit kanë dhënë për Telegrafin një analizë të detajuar të këtyre programeve të partive politike.


Bardha Qirezi nga Edutask ka analizuar në mënyrë të detajuar programet në arsim të katër partive politike, të Vetëvendosjes, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK)dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Për programet e këtyre partive në fushën e arsimit ka folur për Telegrafin edhe Rinor Qehaja nga EdGuard.

Qirezi për programin e Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), ajo tha se proceset e sigurimit të cilësisë nuk janë shkoqitur prandaj siç tha ajo mbetet të shihet se si mund të përshtaten ndryshimet e parapara në menaxhim me mekanizmat për sigurimin e cilësisë.

Ndërsa për programin LDK-së tha se nuk ka koncept të qartë të menaxhimit.

E sa i përket programit të PDK-së Qirezi tha se PDK-ja është duke e pranuar që përkundër përpjekjeve të saj në qeverisjen e dikasterit të arsimit nuk është arritur arsimi cilësor. Në këto zgjedhje siç tha ajo PDK-ja kërkon reformimin e arsimit në të gjitha nivelet.

Edhe për AAK-në, Qirezi deklaroi se nuk parasheh synime konkrete për rritjen e përfshirjes në edukimin e hershëm, por sipas saj fokusohet në platformat që janë krijuar gjatë pandemisë si projekte që do të vazhdohen në të ardhmen.

Më poshtë mund ta lexoni analizën e Qirezit për programet në fushën e arsimit të katër partive politike (Sqarim: Analiza e shprehur nuk paraqet pozicionin  e Edutask apo edhe organizatave me të cilat asocohohet Bardha Qirezi)

Lëvizja Vetëvendosje – LVV

Arsim unik, cilësor për të gjithë dhe falas në të gjitha nivelet. Nevojiten dy mandate për të realizuar programin e arsimit

Referenca: Kapitulli 12 në Alternativën Qeverisëse dhe prononcimet, prezantimet dhe intervistat në media gjatë fushatës

Menaxhimi: Qasja e VV është, që përmes autonomisë institucionale, rritjes së llogaridhënies dhe ndryshimit të kulturës në shkollë, të vendos përgjegjësinë tek institucionet arsimore dhe tek komuniteti i tyre. LVV synon të arrijë këtë duke bërë ndryshimet në legjislacionin sekondar për të mundësuar emërimin e drejtorëve nga këshilli i shkollës dhe emërimin e stafit tjetër nga drejtori. Llogaridhënien synon të arrijë duke shqyrtuar indikatorët e shkollës, përformancën në testet e arritshmërisë dhe testet ndërkombëtare si dhe forcimin e inspektoratit. Shkolla sipas LVV mbahet përgjegjëse para komunitetit  për performancën e saj.

Proceset e sigurimit të cilësisë nuk janë shkoqitur prandaj mbetet të shihet se si mund të përshtaten ndryshimet e parapara në menaxhim me mekanizmat për sigurimin e cilësisë.

Përfshirja: Përderisa LVV synon një arsim unik për të gjithë, masa e vetme drejt unifikimit e paraparë në program, është mësimi i gjuhëve për të siguruar komunikimin mes komuniteteve. LVV është e vetmja parti që e adreson çështjen e ndarjes së arsimit në baza etnike. Duke adresuar këtë pyetje në debatin në TV Dukagjini ”Debat Përnime”, Glauk Konjufca përmendi reciprocitetin për sa i përket përmbajtjes së teksteve shkollore, sidomos ato të historisë, për serbët në Kosovë. Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e kësaj çështje dhe rezistencën e dëshmuar të shqiptarëve dhe serbëve për përmbajtjet arsimore në fushën e historisë, imponime të tilla mund të mos kenë sukses, prandaj qasja e teorisë së kontaktit e paraqitur në program, edhe pse mund të jetë afatgjatë, duket të jetë më reale. Për sa i përket gjithë përfshirjes, LVV synon të rris përfshirjen në edukimin e hershëm në 30%, dhe përmirësimin e infrastrukturës për qasjen e fëmijëve me nevoja të veçanta.

Infrastruktura: Fokusimi i LVV-së është në hapjen e 160 çerdheve, zvogëlimin e numrit të nxënësve në klasa në arsimin para universitar sipas standardit 25 nxënës për klasë, dhe pajisjen e shkollave me mjete konkretizuese, teknologjike edhe mësimore. Në alternativë parashihet ristrukturimi i shkollave sipas numrit të nxënësve duke ndryshuar legjislacionin sekondar dhe duke profilizuar shkollat profesionale.

Mësimdhënia dhe Mësim nxënia: Në programin e LVV-së, nuk specifikohen qartë politikat e zhvillimit të mësimdhënësve dhe aspekteve tjera të matjes së performancës. LVV parasheh kontrollet mjekësorë, angazhimin e qendrave burimore për nxënësit me nevoja të veçanta në përkrahjen e shkollave ku nxënësit janë të integruar si dhe pagesë shtesë për mësimdhënësit që angazhohen në mësim plotësues. Sipas LVV-së, për të përmirësuar rezultatet në mësim, nxënësit duhet të mësojnë për dije dhe jo për nota, dhe për mandatin e dytë parashohin heqjen e notimit në klasat 1-4, kurse si intervenim të shpejtë parashohin program vetëdijësues për rritjen e leximit, promovimin e mendimit logjik gjuhësor dhe matematikor si dhe mendimin kritik. Po ashtu parashihet mësimi plotësues/shtesë për nxënësit që kanë nevojë për përkrahje apo që kanë prirje të veçanta.

Arsimi i lartë: Arsimi i lartë nuk zë vend qendror tek programi i LVV-së. Përveç heqjes së tarifave për semestër në institucionet publike, nuk shpjegohet se si do të realizohet arsimi pa pagesë në këtë nivel, duke pasur parasysh që numri i studentëve në arsimin e lartë privat është pothuajse i barabartë me numrin e studentëve në IAL Publike. Si intervenim i veçantë parashihet krijimi i parkut teknologjik, krijimi i një fakulteti për teknologji informative dhe fondi për hulumtime shkencore. Si aspekt i veçantë parashihet programi i mobilitetit me IAL të Shqipërisë.

Financimi: LVV-ja parasheh heqjen e TVSH-së nga të gjitha shërbimet arsimore. Përderisa nuk specifikohet ndonjë ndryshim i strukturës së formulës financiare për të realizuar rritjen për 30% në edukimin e hershëm dhe arsimin pa pagesë në të gjitha nivelet, LVV-ja parasheh rritjen e financimit në arsim, prej 4.6% të BPV që është tani në 5% të BPV. Nuk dihet nga cili sektor, apo si do të sigurohen paratë për të bërë këto ndryshime.

Lidhja Demokratike e Kosovës- LDK

Arsim Cilësor i bazuar në konceptin e tregut të lirë ku nxënësit kanë opsione të ndryshme publike dhe private për arsim.

Referenca: LDK ka publikuar programin e vet shumë vonë në ueb-faqe, dhe këtë analizë fillimisht e kemi bazuar në programin e zgjedhjeve të kaluara “Beso” dhe programin “Kontrata për Kosovën”. Megjithatë, programi i publikuar është taksativ dhe nuk paraqet ndonjë ndryshim të madh përveç pjesës së digjitalizimit i cili është shtuar në retorikën e të gjitha partive politike pa ndonjë vizion të qartë. Po ashtu analiza merr parasysh prezantimet publike të kandidatit për kryeministër dhe kandidatëve për deputet në debatet e veçanta për arsim .

Menaxhimi: Në programin e LDK-së nuk ka koncept të qartë të menaxhimit. Në ekspozenë e tij kryeministri Hoti i referohet rrjetit ekzistues të shkollave dhe personelit i cili do të transformohet, por që deri më tani nuk kemi informacion për planin dhe mënyrat e transformimit. Kandidatja për deputete e LDK-së, Mimoza Shahini, përmendi konceptin e menaxhimit të integruar i cili meriton vëmendjen e publikut, për faktin që ky koncept parasheh ndryshimin e rolit të drejtorit në shkollë prej “gjithë vepruesit në udhëheqës” i cili përkrahet nga trupa profesional të cilët kryejnë detyra të ndryshme në shkollë në mënyrë të integruar. LDK propozon që drejtorët të kenë kontratë të përhershme, por edhe ky koncept nuk është i qartësuar. LDK synon të ndryshojë procesin e tanishëm të vlerësimit të cilësisë duke ristrukturuar mënyrën dhe instrumentet si dhe duke zhvilluar gjithë stafin dhe akterët në këtë proces.

Përfshirja: Edhe pse LDK-ja në programin e vet nuk parasheh ndonjë përqindje, në deklarime në emisione përmendet rritja e përfshirjes në arsimin e hershëm në 50 %. Ky synim është shumë ambicioz dhe për arritjen e tij nevojiten ndryshime të mëdha. Sipas LDK-së, duhet të aprovohet ligji për fëmijërinë e hershme, standardet për fëmijërinë e hershme dhe kurrikula bërthamë e cila duhet të shkoqitet nga shkollarizimi dhe akademizimi i fëmijëve. Koncepti i LDK-së përfshin çerdhet publike, çerdhet private, çerdhet e partneritetit publiko privat dhe qendrat në komunitet, duke krijuar kështu alternativa të ndryshme varësisht nga nevojat e ndryshueshme të komuniteteve dhe aftësive të tyre për të paguar.

Infrastruktura: LDK nuk ka plan konkret për infrastrukturë, por synon modernizimin e arsimit dhe aplikimin e mësimit tërë ditor i cili kërkon pajisjen me kabinete për klube të ndryshme dhe aktivitete jashtë shkollore dhe mësim plotësues. Ngjashëm, intervenime infrastrukturore parashihen në arsimin profesional për të fuqizuar dhe modernizuar atë. LDK premton fokus të veçantë në infrastrukturën sportive në shkolla.

Mësimdhënia dhe Mësim nxënia: LDK deklaron se sistemi i performancës do të dallojë pagesën e mësimdhënësve sipas performancës, kurse nxënësit e përkushtuar do të përkrahen me grante. LDK nuk ka ndonjë fokus të veçantë tematik duke u fokusuar kryesisht në përshtatjen e përmbajtjeve më nivelin e zhvillimit të fëmijës.

Arsimi i lartë: LDK në programin e saj parasheh si prioritet depolitizimin dhe profilizimin. Përderisa LDK favorizon tregun e lirë në arsim, profilizimi si synim nënkupton ndërhyrje dhe çekuilibrim të autonomisë së IAL për të ofruar programe për të cilat akreditohet, që nënkupton që në procesin e akreditimit do të kenë arsyetuar nevojën për profile të caktuara para vlerësuesve ndërkombëtar. Një tjetër intervenim që LDK e parasheh është riaktivizimi i këshillit të shkencës si dhe krijimi i fondit formues dhe fondit për ekselencë. Ajo çka prezantohet si risi në premtimet e këtyre zgjedhjeve në debate është krijimi i qendrave përkrahëse kërkimore brenda fakulteteve për të rritur aftësitë e tyre për aplikim në projekte ndërkombëtare dhe kërkimore, edhe pse, këto masa nuk janë të parapara në program. Po ashtu parashihet fondi për bursa jashtë vendit, intervenim të cilin LDK-ja e ka në programin e saj për një kohë të gjatë.

Financimi: LDK edhe pse përmend rritjen e pjesëmarrjes prej 50% në arsimin e hershëm, nuk propozon ndonjë ndryshim strukturor në financim. Nevojitet më shumë shpjegim për mënyrën se si synohet të arrihen intervenimet e përmendura.

Partia Demokratike e Kosovës-PDK

Rimëkëmbje e Arsimit pas Pandemisë COVID 19- Investim në infrastrukturë

Referenca: Programi i PDK-së Rimëkëmbje dhe prononcimet në debate zgjedhore në media.

Menaxhimi: Përderisa PDK pranon që përkundër përpjekjeve të saj në qeverisjen e dikasterit të arsimit nuk është arritur arsimi cilësor, në këto zgjedhje kërkon reformimin e arsimit në të gjitha nivelet. Këtë synon të arrijë duke ri definuar përgjegjësitë e MASH, DKA-ve, shkollave dhe duke riorganizuar testin e maturës dhe procesin e sigurimit të cilësisë. PDK përmend decentralizimin në nivel fakulteti për UP-në dhe decentralizimin për universitetet rajonale, duke injoruar faktin që këto institucione janë autonome dhe të barabarta. Po ashtu, kandidati për kryeministër i PDK-së premtoi edhe rritjen e serishme të pagave në arsim. Për asnjërën nga këto procese nuk ka reflektim mbi arsyet e dështimit të reformës që PDK ka zbatuar tash e disa vite dhe qasjen që do të marrin për të pasur sukses.

Përfshirja: Edhe PDK deklaron fokus në edukimin e hershëm, duke pretenduar të bëjë të obligueshëm arsimin parashkollor, si dhe të ndërtojë 300 çerdhe në gjithë vendin, dhe duke punësuar 2.000 gra të lokaliteteve ku hapen çerdhet përmes aftësimit. Ky premtim nuk parasheh kërkesat për kualifikimet e të punësuarve në sistemin e edukimit të hershëm, dhe duke nënvleftësuar problemet për zhvillimin e stafit në këtë nivel të edukimit si dhe aspekteve të tjera të punësimit që janë kompetencë e komunës.

Infrastruktura: Investimet e PDK-së parashihen të shkojnë në ndërtimin e çerdheve, ndërtimin e shkollave të reja profesionale dhe ndërtimin e konvikteve . Po ashtu PDK deklaron se do të zbatojë dhe mirëmbajë Learning Menagement System dhe G-suite, duke shpërfaqur kështu një planifikim sipërfaqësor në këtë drejtim. PDK po ashtu deklaron që do të sigurojë një pajisje për nxënës, duke llogaritur investim në 70.000.000 euro vetëm për pajisje. Premtimet në këtë nivel do të kërkonim shumëfishim të buxhetit për arsim, dhe në të njëjtën kohë,  prapë nuk do të garantonin sigurimin e cilësisë duke pasur parasysh se këto investime infrastrukturore nuk janë të shoqëruara me një program të mirëfilltë për arsim.

Mësimdhënia dhe Mësim nxënia: PDK liston shumë intervenime duke theksuar rritjen e numrit të mësimdhënësve si dhe pagesat shtesë për kujdestari dhe për të udhëhequr aktivin profesional. PDK premton mbështetjen e fakultetit të matematikës, sistemin anti plagjiaturë dhe krijimin e një sistemi hibrid në të gjitha nivelet. Këto intervenime mund të konsiderohen shumë ambicioze duke pasur parasysh një mungesë të shpjegimeve se pse dëshirojnë të realizojnë mësim hibrid në të gjitha nivelet dhe çfarë ndryshime strukturore dhe përmbajtësore do të ndërmarrin për të realizuar një gjë të tillë përveç trajnimit të mësimdhënësve për mbarëvajtjen e mësimit në distancë/virtual dhe rritjen e stafit mbështetës në shkolla (Specialistë të IT, psikologë, etj.);

Financimi: Programi i PDK-së synon investime të mëdha infrastrukturore dhe teknologjike, dhe nuk shpjegon se si do të realizojë këtë financim. Në anën tjetër, në propozimin e PDK-së parashihet përkrahja e familjeve me fëmijë në shkollim me 50/100/200 euro. Programi i PDK-së më shumë mund të konsiderohet si listë dëshirash se sa program që bazohet në mundësitë dhe kapacitetet buxhetore të Kosovës.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës- AAK

Fokusimi në të mësuarit digjital gjatë gjithë jetës për të aplikuar teknologjinë moderne digjitale në mësimdhënie dhe mësim nxënie

Referenca: Programi i Publikuar  dhe prezantimet në media

Menaxhimi: Qasja e AAK-së është zbatimi i ligjeve dhe rregulloreve të tanishme me fokus të veçantë në zbatimin e udhëzimit administrativ për sigurimin e cilësisë dhe kornizës për zhvillim profesional të mësimdhënësve. Për sa i përket ndryshimeve, AAK fokusohet në tri fusha kryesore:1) Digjitalizimin në nivel të MASH dhe të shkollave, 2) rishikimin e teksteve dhe botimin e teksteve të reja, 3) institucionalizimin e trajnimeve, zhvillimin e stafit dhe programeve të edukimit në koordinim me fakultetin e edukimit dhe partnerët ndërkombëtar. AAK parasheh rishikimin e ligjit për edukimin e hershëm, ndryshimin e mënyrës së menaxhimit të AAP duke rishikuar të gjithë kornizën ligjore që rregullon AAP. AAK po ashtu parasheh ndryshimin e ligjit për arsimin e lartë, ndarjen e fakultetit të mjekësisë dhe fakultetit teknik nga UP si universitete të veçanta dhe sigurinë e autonomisë për të gjitha universitetet si dhe ligjin për agjencinë e akreditimit.

Përfshirja: AAK nuk parasheh synime konkrete për rritjen e përfshirjes në edukimin e hershëm, por fokusohet në platformat që janë krijuar gjatë pandemisë si projekte që do të vazhdohen në të ardhmen.

Infrastruktura: AAK në programin e vet parasheh përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese dhe asaj përcjellëse në shkolla dhe universitete. Fokusi kryesor i AAK përqendrohet në digjitalizim.

Mësimdhënia dhe Mësim nxënia: Përveç rishikimit të infrastrukturës ligjore dhe teksteve shkollore, AAK nuk ka ndonjë propozim konkret për reforma në arsim apo fokus në ndonjë temë të caktuar. Për sa i përket arsimit profesional, AAK parasheh analizë të profileve, institucioneve dhe përshtatje të tyre me tregun e punës.

Financimi: AAK përmend rishikimin e formulës financiare por nuk elaboron qasjen e fokusit të politikave arsimore. Ajo çka përmendet në programin e saj është fokusi në digjitalizim dhe rritja e financimit në këtë fushë.

Sipas saj, të gjitha partitë parashikojnë rritje të përfshirjes në edukimin e hershëm dhe ky është një ri-orientim për sa i përket arsimit.

“Për momentin një familje kosovare shpenzon më së paku 600 euro në vit për të dërguar një fëmijë në çerdhe publike, të cilat i japin prioritet familjeve ku të dy prindërit janë të punësuar dhe sidomos në sektorin publik, duke orientuar kështu rritjen e vazhdueshme të çmimeve në çerdhet private prej 1200 deri në 2400 euro në vit.  Shkollimi  fillor dhe i mesëm publik është pa pagesë me disa opsione për shkollim privat me çmim prej 1.500 deri 4.000 euro në vit.

Për arsim të lartë, qytetarët kosovarë kanë opsione pa fund me pagesë të ulët prej 100 euro në vit për tarifa të studimit në institucionet publike dhe me një çmim prej 900-1.200 në kolegje private. Mos të harrojmë që edhe pse mund të duket arsimi i lartë pa pagesë, nëse llogariten shpenzimet e taksapaguesve kosovarë për pagat në këtë nivel, çmimi rritet dhe i afrohet 700- 900 për student në vit.

Prandaj, qeveria e ardhshme, riorientimin në fëmijërinë e hershme duhet ta shoqërojë me ndryshime radikale në mënyrën se si financohen dhe menaxhohen institucionet e arsimit. Pas 20 viteve, shoqëria kosovare meriton një ndryshim të përmbajtjes mësimore, metodave të mësimdhënies dhe mësim nxënie, insentivave dhe kontekstit ku zhvillohet mësimi  për të siguruar që nxënësit zhvillojnë identitetin personal, profesional, talentet  dhe karakterin e nxënësit tërë jetësor”, tha ajo.

Ndërkaq, Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard në një prononcim për Telegrafin ka thënë se programi për arsim tek shumica e partive politike nuk dallon shumë nga fushatat elektorale të viteve paraprake, me premtime shumë sipërfaqësore që nuk synojnë problemet e vërteta të arsimit në vend.

“Mungesa e debatit brenda partiak ka sjellë një situatë ku programet zhvillohen nga jashtë dhe jo si diçka që buron nga një diskutim profesional dhe konceptual partiak – do të nevojitet edhe disa vite tranzicion politik që elektorati të gjykoj me programe”, ka thënë Qehaja.

Tutje ai shtoi se partitë politike si pikënisje duhet të garantojnë për rritje të buxhetit për arsim, dhe instalimin të llogaridhënies përgjatë tërë sistemit.

“Premtimet elektorale janë të orientuara kryesisht në mirëqenie ekonomike të mësimdhënësve, dhe jo në mekanizma që do të siguronin ngritjen e cilësie në arsim. Është për keqardhje që sa pak dhe sa sipërfaqësisht flitet për arsimin. Burimi i shumë problemeve në vend vazhdon të jetë sistemi arsimor, e burim i këtij sistemi është vet politika”, ka thënë Qehaja. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Kryesuesja në KS të OKB-së përplaset ashpër me Vuçiqin për minutat e fjalimit

Kryesuesja në KS të OKB-së përplaset ashpër me Vuçiqin për minutat e fjalimit

Lajme
Përplasja e SHBA-së me Rusinë në KS të OKB-së: Nuk mund të ndryshoni historinë e intervenimit të NATO-s në Kosovë

Përplasja e SHBA-së me Rusinë në KS të OKB-së: Nuk mund të ndryshoni historinë e intervenimit të NATO-s në Kosovë

Lajme
Gjykimi për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, dëshmitari tregon se çka i kishte thënë i akuzuari në natën kritike

Gjykimi për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, dëshmitari tregon se çka i kishte thënë i akuzuari në natën kritike

Drejtësi
Katër të mbijetuara të luftës nuk u lejuan të futeshin në sallën e KS të OKB-së, Osmani refuzoi pjesëmarrjen derisa lëshoi pe protokolli

Katër të mbijetuara të luftës nuk u lejuan të futeshin në sallën e KS të OKB-së, Osmani refuzoi pjesëmarrjen derisa lëshoi pe protokolli

Lajme
Mijëra euro kursime, banesa, e shtëpia - çfarë pasurie posedojnë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese dhe gjashtë gjyqtarët tjerë?

Mijëra euro kursime, banesa, e shtëpia - çfarë pasurie posedojnë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese dhe gjashtë gjyqtarët tjerë?

Lajme
Mot me shi - mundësi për vërshime në disa zona

Mot me shi - mundësi për vërshime në disa zona

Lajme
Kalo në kategori