LAJMI I FUNDIT:

Produktet e tetë kompanive nga Kosova po promovohen në SHBA

Produktet e tetë kompanive nga Kosova po promovohen në SHBA

Tetë kompani nga Kosova po prezantojnë produktet e tyre në panairin “Summer Fancy Food Show 2023”, që po mbahet në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Pjesëmarrës në këtë panair po marrin pjesë kompanitë Canel, EGI Group, ERC Trade, Fresh CO, Frutex, Happy, Royal Paper dhe Stone Castle Wine.


Vizitorët po njoftohen për së afërmi me produktet e kompanive pjesëmarrëse të Kosovës, siç janë çokollatat e llojeve të ndryshme, prodhime konditorike, lloje të ndryshme të biskotave, shpageta, makarona, brumëra të ndryshëm, pije joalkoolike, etj.

Gjatë panairit përfaqësuesit e kompanive kosovare po zhvillojnë edhe kontakte me pjesëmarrës dhe blerës potencial me qëllim të krijimit të bashkëpunimit e rritjes së eksportit.

Bazuar në të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës, investimet e huaja nga SHBA-ja gjatë vitit 2021 ishin 63.7 milionë euro dhe në vitin 2022 kishte rritje për 46 për qind duke arritur vlerën prej 93 milionë euro.

Eksporti i mallrave të Kosovës ishte 123.5 milionë euro dhe në vitin 2022 kishte rritje prej 10.52 për qind, duke arritur vlerën prej 136.5 milionë euro. Kurse importi nga SHBA-ja ishte në vlerë 94 milionë euro duke shënuar ulje në 72 milionë euro në vitin 2022. /Telegrafi/