Prodhojnë alkool nga frutat

Avdirrahman Gashi nga Komuna e Prizrenit ka filluar të merret me veprimtari bujqësore tash e një dekadë, përveç kësaj ai është duke i ndjekur studimet e doktoratës po në fushën e bujqësisë. “Me bujqësi përkatësisht me pemëtari kam filluar të merrem më shumë se 10 vite. Posedoj tre hektarë me mollë. Para tre viteve kam përfituar një grant për ngritjen e një hektari me mollë”, tha ai.
Fermeri Gashi tregon se me prodhim të alkoolit nga molla ka filluar para katër viteve. Në ketë fushë thotë se është duke e aplikuar edhe përvojën të cilën e ka fituar nga specializimi në Gjermani. “Përveç alkoolit nga molla gjithashtu prodhoj alkool edhe nga fruta tjerë si dardha, kumbulla,vishnja, dredhëza, mjedra, frutat e malit si thana etj”, ka treguar Gashi.
Ai prodhon edhe produkte tjera si liker të të gjitha llojeve si dhe verë nga molla. “Fokusi im në të ardhmen është prodhimi i lëngjeve nga frutat përmes shtrydhjes së tyre”, ka thënë fermeri Avdirrahman Gashi nga Prizreni. Ai është aktualisht duke ndjekur studimet e doktoratës në Tiranë për Hortikulturë.
Kurse Kryetari i Shoqatës së Vreshtarëve “Vreshtari”, nga Rahoveci, Labinot Shulina thotë për Portalin “Ferma Ime” se edhe nga frutat mund të prodhohet alkool, vetëm duhet pasur njohuri për dukurinë e fermentimit. “Sigurisht që mund të prodhohet alkool edhe nga frutat. Vetëm për të prodhuar alkool duhet ditur teknologjinë e fermentimit, sepse çdo frutë që ka sheqer mund të prodhosh alkool”, ka theksuar Shulina.
Ndërkaq në Ministrinë e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), kanë treguar se edhe gjatë këtij viti do të vazhdojnë me përkrahjen e fermerëve të cilët merren me kultivimin frutave, e po ashtu edhe për ata të cilët prodhojnë alkool nga këto fruta. Por për të përfituar përkrahjen e kësaj ministrie çoftë nëpërmjet granteve investive apo subvencioneve, fermerët duhet t’i përmbushin disa kritere të caktuara.
“Sektori i Pemëve ku përfshihen molla, dardha, kumbulla, vishnje, dredhëza, mjedra dhe manaferra, për investime në sektorin e pemëve, aplikuesit duhet të dëshmojnë ekzistimin e sipërfaqeve në pronësi apo të marra me qera në Regjistrin e fermave prej së paku 0.5 ha për pemë farore dhe/ose 0.25 ha për pemë të imta. Në rast të investimeve në makineri bujqësore dhe pajisje ose investime në ndërtim dhe përmirësim të objekteve, investimi duhet të përputhet me kapacitetet prodhuese”, kanë treguar në Ministrinë e Bujqësisë. /FermaIme/Telegrafi/





































