LAJMI I FUNDIT:

Pro Real Estate nxjerr në pah potencialin për investime në Kosovë, në Forumin e parë zvicerano-shqiptar të Patundshmërive në Cyrih

Pro Real Estate nxjerr në pah potencialin për investime në Kosovë, në Forumin e parë zvicerano-shqiptar të Patundshmërive në Cyrih

Pro Real Estate së fundmi ka përfaqësuar tregun në zhvillim të patundshmërive në Kosovë, në Forumin për Patundshmëri dhe Financa, organizuar në Cyrih nga komuniteti shqiptar në Zvicër. Ngjarja, një takim i liderëve të industrisë, siguroi një platformë për kompaninë më të madhe për prona të paluajtshme në Kosovë, për të përfaqësuar potencialin e vendit në industrinë e patundshmërisë dhe ndërtimit mes kompanive të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare.

Krenar Batusha, drejtori ekzekutiv i Pro Real Estate, ndau me të pranishmit rrugëtimin e jashtëzakonshëm të kompanisë, duke përshkruar rritjen e saj dhe planet për zgjerim në të ardhmen.

Që nga themelimi i saj në vitin 2014, Pro Real Estate ka evoluar nga një biznes dytësor në një forcë udhëheqëse brenda industrisë. Batusha theksoi progresin e rëndësishëm të kompanisë, veçanërisht në dy vitet e fundit, “Nga një ekip modest prej 7-8 personash në fillim të vitit 2021, tani jemi rritur në një ekip të fuqishëm prej 56 profesionistësh nga fusha dhe industri të ndryshme”.

Në një epokë digjitale, Pro Real Estate ka treguar përkushtimin e saj ndaj inovacionit dhe transformimit digjital. “Ne kemi digjitalizuar me sukses afër 70% të proceseve tona të punës, kemi krijuar një CRM të brendshëm dhe kemi lançuar aplikacionin, e gjithë kjo për t’u ofruar klientëve zgjidhje më të sigurta dhe më të shpejta për investim. Aktualisht jemi duke eksploruar mundësitë për integrimin e AI, për të rritur më tej efikasitetin e ekipit dhe përmirësimin e shërbimit tonë ndaj klientit”, ka theksuar Krenar Batusha, duke identifikuar mangësinë në shfrytëzimin e teknologjisë brenda industrisë.

Një pikë kyçe e fjalimit të Batushës ishte prezantimi i konceptit të Trust Circle (Rrethi i Besimit), i zhvilluar në bashkëpunim me Enver Osmanin, socio-pedagog me mbi dy dekada përvojë profesionale në Zvicër. Kjo nismë është një dëshmi e përkushtimit të kompanisë ndaj mirëqenies shoqërore. “Misioni ynë shtrihet përtej suksesit në biznes. Është detyra jonë ndaj gjeneratave të reja që të sigurojmë një bazë të fortë për sukses dhe lumturi”, tha Batusha.

Trust Circle Foundation është gjithashtu një iniciativë e lindur nga ky koncept, e cila synon të mbështesë grupet sociale më të cenueshme në të gjithë komunitetin shqiptar, duke përfshirë fëmijët pa kujdes prindëror, fëmijët me nevoja të veçanta&aftësi të kufizuara, si dhe individët me varësi në substanca narkotike dhe alkool.

Duke parë drejt së ardhmes, Krenar Batusha ndau planet ambicioze për rritje të Pro Real Estate, e cila do të përfshijë zgjerimin në tregun ndërkombëtar dhe hyrjen në sektorin e ndërtimit. “Në bashkëpunim me ekspertë nga Zvicra dhe Shqipëria, ne synojmë të sjellim perspektivë dhe ide të reja ndërtimi në Kosovë.”, theksoi ai, duke sinjalizuar një fazë të re të inovacionit për kompaninë.

Në fjalën e tij përmbyllëse, Krenar Batusha bëri thirrje për unitet mes shqiptarëve në mbarë botën, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit dhe unitetit për të nxitur zhvillimin dhe rritjen e kombit tonë.

Ndryshe, Pro Real Estate, e themeluar në vitin 2014, është kompania më e madhe e patundshmërive në vend, e cila ofron shërbime të nivelit më të lartë profesional për shitblerje, qiradhënie dhe investim në prona të paluajtshme në të gjithë Prishtinën, zonat afër, si dhe bregdetin shqiptar.