Komuna e Prizrenit është renditur në mesin e katër komunave më transparente në nivel të Kosovës bazuar në vlerësimin e bërë nga KDI me partnerët në kuadër të Transparometrit për vitin 2024.

Sipas publikimit të KDI-së, sa i përket transparencës në vitin e shkuar, Ferizaj, Gjakova, Lipjani dhe Prizreni janë renditur në vendin e parë me nga 95 pikë.


Komuna e Prizrenit për vitin 2023 pat mbledhur 94 pikë, ndërkohë që vjet është përmirësuar për një pikë shtesë, raporton Telegrafi.

Pas këtij publikimi,  ka reaguar edhe kryetari Shaqir Totaj duke theksuar se Komuna e Prizrenit është renditur e para për transparencë.

“Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në partneritet me konsorciumin e organizatave jo qeveritare “Aleanca Qytetare për Transparencë”, ka publikuar Transparometrin Komunal, ku pasqyrohen te gjeturat e nivelit të transparencës së institucioneve lokale për 38 komunat e Kosovës për vitin 2024, ku, sipas këtij vlerësimi, Komuna e Prizrenit është renditur e katërta në nivel vendi apo e para nga komunat e mëdha, që në krahasim me vitin 2022 ka ngritje të jashtëzakonshme”, ka shkruar Totaj, raporton Telegrafi.

Komuna e Prizrenit, është vlerësuar në gjithsej 48 indikatorë specifikë, që sipas tij matin elemente të rëndësishme të qeverisjes së mirë dhe përmbushjen e obligimeve ligjore që lidhen me transparencën dhe llogaridhënien, në raport me qytetarët.

Transparometri për vitin 2024, sipas KDI-së, është rezultat i monitorimit dhe vlerësimit të transparencës në institucionet lokale nëpërmjet 48 indikatorëve për periudhën janar – dhjetor 2024, ku të dhënat janë marrë nga ueb faqet zyrtare të komunave. /Telegrafi/