LAJMI I FUNDIT:

Privatizimi pas ristrukturimit si mundësi për shpëtimin e Telekomit

Privatizimi pas ristrukturimit si mundësi për shpëtimin e Telekomit

Qeveria e Kosovës ka vendosur që Telekomi t’i futet procesit të privatizimit, madje zyrtarët e Qeverisë thonë se kjo është forma e vetëm për ta shpëtuar ndërmarrjen më profitabile në vend dikur.

Gjendja e vështirë financiare si dhe numri i të punësuarve ka bërë që për ekspertet e ekonomisë dhe njohësit e kësaj fushe privatizimi të shihet me dyshime, pa një ristrukturim fillestar të Telekomit.

Ish-kryeshefi i Post-Telekomit të Kosovës, Agron Dida, ka thënë për Telegrafin se menaxhimi jo i mirë ka ndikuar që kjo ndërmarrje të kërkojë shpëtim në procesin e privatizimit, por së pari duhet të ketë ristrukturim.

“Në rastin ideal duhet të ndodh një ristrukturim serioz, mirëpo kam dyshime që ka njerëz të dedikuar për këtë. Ky lidership e ka humbur kredibilitetin, ku me këtë me siguri punëtorët janë të pakënaqur. Zgjidhja më e volitshme është privatizimi. Me keqardhje të madhe po e shoh që jo vetëm Vala, por edhe Posta kanë falimentuar financiarisht. Aty më nuk ka zgjidhje tjetër”, tha Dida.

Nuk votohet vendimi i Qeverisë për privatizimin e Telekomit
Lexo po ashtu Nuk votohet vendimi i Qeverisë për privatizimin e Telekomit

Ai ka shtuar se gjendja aktuale financiare e Telekomit është në një pozitë të pavolitshme që të qëndroj si ndërmarrje publike.

“Mendoj se ardhmja e PTK-së duhet të jetë publike, por duke i parë proceset ku minusi financiar është evident, atëherë nuk mund të qëndroj si ndërmarrje publike dhe është në pozitë të pavolitshme që nuk shkon”, tha Dida.

Rukiqi: Kosova e Shqipëria bashkëpunimin ekonomik, tash e 10 vjet me shumë barriera (Video)
Lexo po ashtu Rukiqi: Kosova e Shqipëria bashkëpunimin ekonomik, tash e 10 vjet me shumë barriera (Video)

Kurse, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në një intervistë për emisionin “EKONOMI” në Telegrafi.com, ka thënë se Telekomit nuk i kanë mbetur shumë opsione.

“Aty nuk ka shumë zgjidhje, Telekomit nuk i kanë mbetur shumë opsione, ku nëse në të kaluar kanë mundur ta mendojnë një opsion aktualisht neve nuk po na ofrohet një alternativë më e mirë se privatizimi. Momenti i duhur ka qenë shumë vite më herët kur industria e telekomunikimit ka qenë stabile, kanë qenë konkurruese dhe ka qenë në rritje. Është dashur kur Telekomi ka pasur bilanc krejt tjetër financiar, është dashur kur momentumi politik dhe ndërkombëtar në Kosovë ka qenë shumë më i përshtatshëm, është dashur kur edhe ekonomia botërore ka qenë në nivele të tjera. Pas krizës financiare, çdo perspektivë e privatizimeve të tilla ka ndryshuar dhe revolucionet teknologjike i kanë ndihmuar kësaj, që kjo industri nuk është atraktive për shuma të mëdha”, është shprehur Rukiqi.

Haki Shatri, këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj, ka thënë për Telegrafin se gjëja e duhur do të ishte privatizimi sesa të falimentimi i Telekomit.

“Ne do të shikojmë brenda mundësive ligjore çfarë mund të bëjmë që ta nxjerrim Telekomin nga situata, me anë të privatizimit apo ndonjë formë tjetër se kështu nuk mund të lihet. Në fund të fundit të privatizohet se të lihet të falimentohet”, tha për Telegrafin, Shatri.

Debate e polemika, por pa zgjidhje për shpëtimin e Telekomit
Lexo po ashtu Debate e polemika, por pa zgjidhje për shpëtimin e Telekomit

Ndryshe, në vitin 2013, Telekomi i Kosovës i ishte nënshtruar procesit të privatizimit dhe kishte dështuar. Pavarësisht gjendjes së vështirë financiare, Telekomi në periudhën 2010-2015 kishte ndarë dividendë për Qeverinë e Kosovës në shumë prej 250 milionë eurove. /Telegrafi/