LAJMI I FUNDIT:

Prishtina prinë me numrin e bizneseve të regjistruara

Prishtina prinë me numrin e bizneseve të regjistruara

Në tremujorin e katërt të vitit 2018 janë regjistruar gjithsej 2,401 biznese, ku vërehet një rritje për 8.5 për qind, krahasuar me tremujorin paraprak, ndërkaq, krahasuar tremujorin e katërt të vitit 2018 me tremujorin e 2017-së, ka pasur një rritje për 25 për qind të ndërmarrjeve të regjistruara.

Kështu thuhet në raportin e publikuar të Agjencisë së Statistikave të Kosovës mbi ndërmarrjet ekonomike në Kosovë për këtë tremujor.

“Krahasuar me vitin 2017, në vitin 2018 ka pasur rritje për 6.3 për qind të ndërmarrjeve të regjistruara. Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin tregtia me 561 ndërmarrje të regjistruara apo 23.4 për qind, prodhimi me 280 ndërmarrje të regjistruara apo 11.7 për qind, akomodim dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim me 252 ndërmarrje të regjistruara apo 10.5 për qind, ndërtimtaria me 244 ndërmarrje të regjistruara apo 10.2 për qind, aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 212 ndërmarrje të regjistruara apo 8.8 për qind, bujqësi, pylltari dhe peshkatari me 156 ndërmarrje të regjistruara apo 6.5 për qind, ndërsa aktivitetet tjera marrin pjesë në shkallë më të vogël”, thotë ASK, përcjell Telegrafi.

Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor mbizotëron komuna e Prishtinës me 766 ndërmarrje të regjistruara apo 31.9 për qind të totalit.

Në vend të dytë është Prizreni me 212 ndërmarrje të regjistruara apo 8.8 për qind, pasuar nga Ferizaji me 188 ndërmarrje të regjistruara apo 7.8 për qind, Peja me 124 ndërmarrje të regjistruara apo 5.2 për qind, Gjilani me 109 ndërmarrje të regjistruara apo 4.5 për qind, ndërsa komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor. /Telegrafi/