LAJMI I FUNDIT:

Prindërit i duan fëmijët verbërisht

Prindërit i duan fëmijët verbërisht

Prindi është edukatori i parë i fëmijëve. Por, së pari, të shohim se çfarë u dhuroni atyre dhe si silleni me ta


Abdirahim Idrizi
Poliklinika “Galaxy”
abdirahimidrizi@gmail.com

Ndoshta mendoni se fëmijët tuaj, ngaqë i doni shumë, mund t’i shpëtoni prej dhembjes, zhgënjimit.

Ju i doni, flijoni shumë për ta, vuani shumë për ta. Ata janë krijesa më të dashura për ju. Dashuria juaj ndaj tyre është e pamatshme. Por ju, mjerisht, i doni ata verbërisht.

Ju nuk e dini se për të pasur fëmijë të mirë dhe për t’i orientuar ata drejt në jetë, formulat janë fare të thjeshta.

E para dhe më e rëndësishmja është sjellja juaj ndaj tyre.

Prindi është edukatori i parë i fëmijëve. Por, së pari, të shohim se çfarë u dhuroni atyre dhe si silleni me ta.

Ju u dhuroni, mjerisht, vetëm mrrolat, qëndrimin tuaj tepër serioz, urdhërues.

Gjithmonë i shikoni dhe flisni për ta si për problemin. Kërkoni të jenë të dëgjueshëm, të sillen me përgjegjësi.

Ju u shtroni atyre kërkesa që lëndojnë natyrën e tyre delikate, cenojnë lirinë e tyre.

Ju mendoni se ata ende nuk kanë personalitet, andaj sikur kanë nevojë të disiplinohen.

E kundërta e këtyre sjelljeve, tepër negative ndaj fëmijëve, ekzistojnë formula të tjera sjelljesh shumë të mira dhe efektive.

Sjellja me butësi krijon tek fëmija disponim.

Në vend të qortimit, lavdërimi për çdo veprim që bën krijon tek ai ndjenjën e vetëbesimit.

Pranimi për të diskutuar për çdo gjë me të nga pozita të barabarta, pa këshilla e qortime, krijon tek ai gjithashtu besimin në vetvete.

E lironi nga shtrëngesat, e përgatitni që nesër të bëhet një personalitet i lirë e pa paragjykime. Në vend se “pse e bëre këtë”, t’i thuhet “mirë e ke bërë”.

Pa marrë parasysh çfarë kërkoja nga fëmijët, gjithnjë jam përpjekur që fëmijët e mi të jenë dhe të mbeten ata që janë.

Të tillë çfarë i ka krijuar Zoti. /Telegrafi/