LAJMI I FUNDIT:

Prezantohet Programi për Mbështetjen e Konkurrueshmërisë së NVM-ve në Kosovë nga BERZH

Prezantohet Programi për Mbështetjen e Konkurrueshmërisë së NVM-ve në Kosovë nga BERZH

Programit për Mbështetjen e Konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) në Kosovë që realizohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në bashkëpunim me Odën Ekonomike e Kosovës (OEK) realizoi një takim me bizneset.

Në takim u prezantua se si funksionon programi dhe si bizneset mund të aplikojnë.


Programi synon të përmirësojë konkurrueshmërinë e NVM-ve dhe mundësitë e tyre për tregtim në rajon dhe me shtetet e BE-së, përmes investimeve të selektuara dhe të mbështetura me grante. Programi është një kombinim i qasjes në financa, granteve dhe asistencës teknike për të rritur njohuritë e NVM-ve përmes bankave lokale partnere të kombinuara me një grant prej 15 për qind të financuar nga fondet IPA të Bashkimit Evropian.

Në kuadër të programit ofrohet po ashtu edhe asistencë teknike që ju mundëson NVM-ve të optimizojnë nevojat investive për të arritur përputhshmëri me Direktivat Prioritare të BE-së. Ky program është zhvilluar për të ndihmuar NVM-të të plotësojnë rregullat e reja dhe të kuptojnë kërkesat për përmirësim në fushën e mbrojtjes së ambientit, mirëqenies dhe sigurisë në punë dhe kualitetit dhe sigurisë së produktit.

Projektet mund të financohen me një ose më shumë kredi me vlerë totale deri në 1 milion euro për çdo kompani ose grup të kompanive. Projektet investuese duhet të përmirësojnë konkurrueshmërinë e kompanisë në çfarëdo tregu dhe të arrijnë përputhshmëri me një ose më shumë direktiva të BE-së.

Deri tani mbi gjashtë milionë euro investime janë kryer përmes këtij programi. /Telegrafi/