Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të Shemsi Krasniqit - Shemit, vokalistit të grupit legjendar “Ilirët”.

Në mesazhin e saj, Presidentja Osmani theksoi se me pikëllim të thellë është pranuar lajmi për vdekjen e artistit, i cili me zërin dhe krijimtarinë e tij la gjurmë të pashlyeshme në muzikën shqiptare.


Ajo veçoi këngën ikonike “Xhamadani vija vija”, duke e cilësuar si një kujtim të fuqishëm dhe simbolik që vazhdon të bashkojë emocione, histori dhe identitet, ashtu siç bëri zëri i Shemit ndër dekada.

“Xhamadani vija vija mbetet një kujtim i fuqishëm dhe simbolik, që vazhdon të bashkojë emocione, histori dhe identitet”.

Presidentja shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të ndjerit, miqtë, bashkëpunëtorët dhe gjithë komunitetin artistik, duke theksuar se humbja e tij është një humbje e madhe për skenën kulturore të vendit.

Ajo rikujtoi gjithashtu se dy vjet më parë, për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në art dhe kulturë, Shemsi Krasniqi dhe grupi “Ilirët” ishin nderuar me 'Medaljen Presidenciale të Meritave'.

Në fund të mesazhit, Osmani theksoi se kujtimi dhe vepra e Shemit do të jetojnë gjatë përmes muzikës që ai la si trashëgimi për brezat e ardhshëm, duke përfunduar me mesazhin: “I përhershëm qoftë kujtimi për Shemsi Krasniqin – Shemin". /Telegrafi/