LAJMI I FUNDIT:

Presidenti Wilson nuk lejoi zhbërjen e kombit shqiptar

Presidenti Wilson nuk lejoi zhbërjen e kombit shqiptar

Në këtë fillim shkurti, është e pamundur të mos kujtohet presidenti amerikan Woodrow Wilson. Ky njeri i shquar, përveç ndikimit që pati përgjatë Luftës së Parë Botërore, do të njihet në historinë shqiptare si njeriu që nuk pranoi copëtimin e Shqipërisë. Andaj e pakta është që të shkruajmë për veprën e tij, ndihmën që na dha, sepse Wilson ishte zëri i miliona shqiptarëve të cilët pushtim pas pushtimi, vështirë të gjenin forcë të ngriheshin përsëri. Duke përkujtuar jetën dhe veprën e këtij personaliteti të shquar, i cili ishte shpresë jo vetëm për ne, por për botën në tërësi, ne nderojmë kombin tonë dhe kombin amerikan.

Në kodet dhe zakonet tona, nderimi dhe respekti për mikun është nderim dhe respekt për Zotin.
Ishte dhjetori i vitit 1918, kur Wilson niset për Evropë; ishte koha e Konferencës së Paqes së Parisit, ndërsa ai ishte i përfshirë në ato negociata. Fati i Shqipërisë ishte lidhur nyje. Pavarësisht shpalljes së pavarësisë, shumica e territorit shqiptar mbeti jashtë kufijve që u njohën nga Fuqitë e Mëdha. Por, edhe pse shtet i pavarur në ata kufij të cunguar pas Konferencës së Londrës me 1913, synimet e fqinjëve ishin dhe më të egra.


Ëndrra për ta ndarë Shqipërinë, për ta zhdukur kombin dhe gjuhën shqipe; tendencat e hapura për kontrollin e Adriatikut, bënë që një nyje e vogël të këputej për të na zhbërë nga faqja e dheut.

Franca dhe Anglia – pa praninë e Shteteve të Bashkuara – arritën një marrëveshje që i jepte Italisë mandatin ta shkëpuste Vlorën dhe që Greqia të merrte territorin përreth Gjirokastrës, por jo Korçën. Pas Konferencës së Paqes në Paris, ku ishte e përfshirë edhe SHBA, roli i saj ishte pothuajse i pashmangshëm për fatin e botës. Tendencat grabitqare ndaj Shqipërisë u hodhën poshtë nga Wilsoni, i cili ishte shpëtimtari kryesor për kombin shqiptar.

Padyshim që rol të madh në këtë çështje luajti edhe mërgata shqiptare në Amerikë në krye me Fan Nolin dhe Faik Konicën – dy mendjet më brilante që njeh historia e kombit shqiptar. Andaj aleanca shqiptaro-amerikane gëzon një shekull, falë disasporës që bëri çmos dhe sakrifikoi çdo gjë që ta ruajë bërthamën e kombit tonë në kohë të vështira.