LAJMI I FUNDIT:

Presidenti i Filipineve tregon sa njerëz ka vrarë

Presidenti i Filipineve tregon sa njerëz ka vrarë

Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte, i konfirmoi BBC-së se ka qëlluar për vdekje tre persona, derisa ka qenë kryetar i qytetit Davao.

“Kam vrarë tre… Nuk e di se sa plumba nga arma ime kanë hyrë në trupat e tyre. Kjo ka ndodhur dhe nuk mund të gënjej”, tha Duterte.


Deklarata erdhi disa orë pasi zëdhënësi i tij mohoi se Duterte ka vrarë dikë personalisht.

Kundërthëniet kanë nisur qysh të mërkurën në Zyrën e Presidentit.

Duterte i ka thënë një grupi të udhëheqësve biznesorë se në Davao ka vrarë personalisht “vetëm për t’i treguar policisë se nëse ai mund ta bëjë, përse nuk mund ta bëjë policia”.

Duterte ka qenë kryetar i Davaos për dy dekada. Gjatë asaj periudhe, ai ka fituar reputacionin për shtypje brutale të krimit.

Duterte, i cili është zgjedhur në muajin maj president i Filipineve, ka miratuar vrasjen e trafikantëve të drogës, në përpjekje për të zhdukur tregtinë me këtë substancë.

Rreth 900 trafikantë droge janë vrarë prejse ai është zgjedhur më 9 maj.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se ky veprim është shkelje e të drejtave të njeriut.