LAJMI I FUNDIT:

Presidente mos e… punën krejt

Presidente mos e… punën krejt

Dy herë kam shkruar opinione përkrahëse për një emër të përveshëm, edhe pse nuk është parim imi të merrem me emra në opinionet e mia. Ky emër ishte Atifete Jahiaga, si presidente e Republikës së Kosovës.

Në të dyja rastet jam kritikuar shumë nga kolegë/e, opinionistë, gazetarë, politikanë, për shkak të qëndrimeve mbështetëse ndaj figurës së saj. U kritikova shumë dhe me akuzuan se ajo nuk na qenka intelektualisht në nivelin e duhur për t’i prirë vendit, e aq me pak për t’i dhënë lavde. Po ashtu, presidentja nuk i është nënshtruar asnjëherë vlerësimit të sovranit në një proces zgjedhor, por ka ardhur nga zarfi. Këto janë kritika që nganjëherë me të drejt shtrohen.


Unë personalisht mendoj që nuk më takon mua e askujt tjetër të vendos për shkallen e inteligjencës (IQ) të askujt, prandaj në opinionet e mia të mëhershme nuk e kam trajtuar asnjëherë figurën e presidentes si kategori intelektuale, por në radhë të parë si një person pa hipoteka korruptive dhe pranueshëm për qytetarët e vendit, dhe po ashtu nga miqtë ndërkombëtarë gjithandej, nganjëherë edhe si përfaqësuesja e vetme e vendit e cila shihej më sy normal nga partnerët ndërkombëtarë. Dhe, së dyti, si një femër e cila ushtron një pushtet dhe me të cilën do duhet të mburreshim ne si komb në përgjithësi dhe gjinia femërore në veçanti.

Pra, këta ishin ata dy faktorë të cilët me shtynë të shkruaj opinion pozitiv ndaj figurës së saj.
Thotë një fjalë popullore: Çka ja ban njëri vetës s’ia ban kush!

Që nga fillimi i bllokadës politike në vend, presidentja dita-ditës jo vetëm që nuk po sillet konform pozitës e cila i takon, por ajo po dëshmohet në radhe të parë e paaftë, dhe çka është më ë keqja, po e lëndon paanshmërinë e institucionit të Presidentit.

Presidentja e vendit po mbanë anën e PDK-së dhe atë shumë hapur.

Presidentja e vendit po injoron shumicën parlamentare në vend, shumicë e dalë nga zgjedhjet e drejtpërdrejta, pra nga përfaqësues të këtij populli të cilin e përfaqëson. Presidentja madje injoroi komunitetet pakicë, duke refuzuar kërkesën e tyre t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Kushtetutën të cilën tashmë e keni degraduar totalisht bashkë me partnerët tuaj politikë (gjyqtarë e politikanë).

Presidente, tani nuk të ka mbetur edhe shume çka mund të bësh, pos ta turpërosh edhe gjininë femërore në vend e cila, në masë të madhe, ka ditë me dhanë shembuj të mirë në politikë. Dhe, në fund, të deklarohesh edhe zyrtarisht anëtare e PDK-së.

Po bën thirrje për reflektim, por radha është që ju të reflektoni!