LAJMI I FUNDIT:

Premierë në Budapest: Dokumentari që flet për ata që urdhëruan sulmet në fshatrat përreth Pejës në vitin 1999 (Video)

Premierë në Budapest: Dokumentari që flet për ata që urdhëruan sulmet në fshatrat përreth Pejës në vitin 1999 (Video)

Dokumentari i BIRN “Të Paidentifikuarit”, i cili flet për personat përgjegjës për disa nga mizoritë më brutale të luftës së Kosovës në vitin 1999, pati premierën e tij në Festivalin Ndërkombëtar të Dokumentarit në Budapest.

Dokumentari i fundit i BIRN “Të Paidentifikuarit”, i cili përmend emrat e zyrtarëve serbë që urdhëruan sulmet në fshatrat e Kosovës përreth qytetit të Pejës në vitin 1999 dhe ata që janë përfshirë në operacionin e fshehjes së trupave të viktimave, u shfaq në kryeqytetin hungarez për herë të parë të mërkurën si pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Dokumentarit në Budapest.


Në një seancë me pyetje dhe përgjigje pas transmetimit të dokumentarit, regjisorja e dokumentarit, Marija Ristiq, tha se “Të Paidentifikuarit” ishte rezultat i një hetimi dyvjeçar, gjatë të cilit një nga sfidat më të mëdha ishte bindja e dëshmitarëve të flisnin hapur për atë që kishin parë.

“Lufta në Kosovë dhe krimet e kryera atje janë ende një lloj tabuje në Serbi dhe për shkak të kësaj ishte shumë e vështirë të gjeje të gjithë personat e përfshirë në këto ngjarje dhe t’u bëje thirrje atyre të shfaqeshin në dokumentar, në të cilin përfshihen si viktimat ashtu edhe autorët e krimeve”, tha Ristiq.

“Të Paidentifikuarit” i kthen shikuesit pas në vitin 1999, në fshatrat Lybeniq, Qyshk, Pavlan dhe Zahaq, pranë Pejës në Kosovë, ku ushtarët serbë vranë më shumë se 118 civilë shqiptarë. Trupat e tyre u dogjën ose u zhvendosën, dhe disa prej tyre u gjetën më vonë në varre masive në qendrën policore në Batajnicë pranë Beogradit në vitin 2001.

Kush urdhëroi fshehjen e trupave të shqiptarëve në Serbi? (Video)
Lexo po ashtu Kush urdhëroi fshehjen e trupave të shqiptarëve në Serbi? (Video)

Gjyqi i luftëtarëve të dyshuar se janë përfshirë në vrasjet – 10 prej tyre u akuzuan si autorët e drejtpërdrejtë – vazhdon ende në Beograd, por policët dhe gjeneralët e ushtrisë që i dhanë urdhrat nuk janë ndjekur kurrë penalisht në Serbi.

Ristiq, e cila e ndoqi gjyqin për tre vjet, tha se ajo s’donte të bënte thjesht një film për luftëtarë serbë në gjyq, por për të gjithë personat përgjegjës për sulmet dhe ata që urdhëruan përpjekjen e mëvonshme për të mbuluar krimin.

“Njerëzit që dhanë urdhrat lanë pas dokumente. Ne ishim gjithashtu të interesuar të zbulonim se kush ishin përgjegjësit për zhvendosjen e trupave, sepse fshehja e krimit s’është në aktakuzën e dhjetë ish-ushtarëve”, tha ajo.

Në shkurt të vitit 2014, nëntë prej tyre u dënuan me një total prej 106 vitesh burg, por një Gjykatë Apeli në Beograd e anuloi vendimin në mars, duke e quajtur atë “të pakuptueshëm dhe kontradiktor”.

Çështja tani po rigjykohet, por proceset gjyqësore janë shoqëruar me vonesa dhe probleme ligjore.

“Të Paidentifikuarit” do të shfaqet edhe një herë tjetër në Festivalin Ndërkombëtar të Dokumentarit në Budapest të enjten.

Në trend Lajme

Më shumë
Profesori shqiptar nga Londra: Në Britani të Madhe i gjithë spektri politik është pro Kosovës

Profesori shqiptar nga Londra: Në Britani të Madhe i gjithë spektri politik është pro Kosovës

Lajme
Një milion qytetarë të regjistruar deri më tani, dalin statistikat sipas komunave

Një milion qytetarë të regjistruar deri më tani, dalin statistikat sipas komunave

Lajme
Dënimi me 25 vjet i Sekiraqës, babai i Triumf Rizës: Kurrfarë vendimi, nuk e kuptoj si më të vlefshëm kriminelët se polici që mbron ligjin e shtetin

Dënimi me 25 vjet i Sekiraqës, babai i Triumf Rizës: Kurrfarë vendimi, nuk e kuptoj si më të vlefshëm kriminelët se polici që mbron ligjin e shtetin

Lajme
Parlamenti britanik miratoi mocionin e Alicia Kearns për Kosovën

Parlamenti britanik miratoi mocionin e Alicia Kearns për Kosovën

Lajme
Në automjetin me targa të Serbisë, policia konfiskoi 390 kg duhan kontrabandë në Gjilan

Në automjetin me targa të Serbisë, policia konfiskoi 390 kg duhan kontrabandë në Gjilan

Lajme
Deputeti i LVV-së akuzon opozitën, Basha: Po i shtrembëron raportet ndërkombëtare për Kosovën

Deputeti i LVV-së akuzon opozitën, Basha: Po i shtrembëron raportet ndërkombëtare për Kosovën

Lajme
Kalo në kategori