LAJMI I FUNDIT:

Pranimi teknik nuk është bërë për rreth 90 për qind të ndërtimeve

Pranimi teknik nuk është bërë për rreth 90 për qind të ndërtimeve

Ndërtimtaria ishte një nga bizneset më të përhapura dhe më fitimprurëse këto vitet e fundit në Kosovë.

Janë ndërtuar shumë objekte banimi, qendra tregtare, ndërtesa qeveritare e shumë të tjera, por kushtet për shfrytëzim në këto objekte, vlerësohet se lënë për të dëshiruar dhe në disa raste janë të dyshimta, meqë pranimet teknike të këtyre ndërtesave, bëhen rrallë nga autoritetet kompetente.


Njohësit e fushës së ndërtimtarisë thonë se pranimi teknik duhet të realizohet para se objekti të lëshohet për shfrytëzim, ose edhe nëse ndërtesat janë duke u shfrytëzuar, përfundimi i këtyre procedurave është i domosdoshëm.

Kryetari i Shoqatës se Ndërtimtarëve të Kosovës, Brahim Selimaj, thotë se rreth 90 për qind të objekteve të ndërtuara nuk është bërë pranimi teknik. Sipas tij, problem në këtë kuadër paraqesin rregulloret, të cilat bien ndesh me ligjet në fuqi, kurse nivelet komunale nuk e përfillin nivelin qendror.

Liburn Aliu, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Prishtinës, tregon se që nga përfundimi i luftës e deri më tani në Prishtinë janë lëshuar rreth 1000 leje të ndërtimit. Prej tyre, 200 kanë aplikuar për pranim teknike, kurse vetëm 60 ndërtesa e kanë përfunduar këtë proces. Ai, ndërkaq, thotë se në kryeqytet ka të ndërtuara shumë objekte edhe pa leje.

Naser Kabashi, profesor i Ndërtimtarisë në Universitetin e Prishtinës, shprehet se secili objekt që përfundon se ndërtuari, duhet t’u nënshtrohet disa rregullave. Kurse, pranimi teknik është i obligueshëm dhe i domosdoshëm pasi përmbledh të gjitha të dhënat e projektit dhe tregon se projekti është teknikisht i realizuar sipas kërkesave.

Ndryshe, Ligji për ndërtime ka pësuar ndryshime dhe kjo sipas njohësve të kësaj fushe, e ka komplikuar punën në këtë sektor. Në ndryshimet që janë bërë në këtë ligj në vitin 2012, thuhet se nuk kërkohet kontrolli teknik, mirëpo ky qëllim arrihet përmes certifikatës së përdorimit, e cila merret përmes fazave të inspektimit të objekteve.

Në një përgjigje me shkrim nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, thuhet se certifikata e përdorimit lëshohet me kërkesën e investitorit dhe lëshohet nga organi kompetent, i cili e ka lëshuar lejen e ndërtimit.

Certifikata e përdorimit është dokument i lëshuar nga një organ kompetent që vërteton se ndërtimi është i përshtatshëm për përdorim.

Ndërkaq, sipas Ligjit për ndërtim, të miratuar në vitin 2004, thuhet se për lejet e ndërtimit të lëshuara, procedura për marrjen e lejes së përdorimit parasheh pranimin teknik të objekteve të ndërtuara, mirëpo duhet patuar parasysh afatet ligjore. /REL/