LAJMI I FUNDIT:

Politikanë vrasës

Politikanë vrasës

Jeffrey D. Sachs

“Askush nuk do të më shpëtojë nga ky prift ngatërrestar?”, pyeti Henri i II-të, ndërsa nxiti vrasjen e kryepeshkopit të Kanterbërit, Thomas Becket, në vitin 1170. Gjatë shekujve, presidentët dhe princat në mbarë botën kanë qenë vrasës dhe kanë ndihmuar në vrasje, siç dokumentuan Pitirim Sorokin dhe Walter Lunden, në detaje statistikore në kryeveprën e tyre “Power and Morality”. Një nga gjetjet e tyre kryesore ishte se sjellja e grupeve qeverisëse ka tendencë të jetë më kriminale dhe amorale sesa ajo e popullit mbi të cilin ata sundojnë.


Sundimtarët e preferojnë shumë mohimin. Por, me vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi nga qeveria e tij, helmimin e ish-spiunëve rusë që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar dhe fjalëve që kreu i Interpolit, Meng Hongwei, mund të jetë ekzekutuar në Kinë, perdja e mohimit ka rënë më shumë sesa zakonisht. Në Riad, Moskë, madje edhe në Pekin, klasa politike po përpiqet të mbulojë mënyrat e saj vdekjeprurëse.

Por, askush nuk duhet të ndihet i vetëkënaqur këtu. Presidentët amerikanë kanë një histori të gjatë vrasjesh, gjë që nuk ka gjasa të shqetësojë presidentin aktual, Donald Trump, paraardhësi i preferuar i të cilit, Andrew Jackson, ishte një vrasës gjakftohtë, skllavopronar dhe spastrues etnik i amerikanëve vendas. Për Harry Trumanin, bombardimet atomike të Hiroshimës i kursyen atij koston e mundshme të lartë të pushtimit të Japonisë. Por, bombardimi i dytë atomik, ai i Nagasakit, ishte krejtësisht i pambrojtshëm dhe ndodhi në mes të një vrulli të thjeshtë burokratik: bombardimet, me sa duket, ndodhën pa urdhrin e qartë të Trumanit.

Që nga viti 1947, mohimi i vrasjeve presidenciale është lehtësuar nga CIA, e cila ka shërbyer si një ushtri sekrete (dhe dikur skuadër vdekjeje) për presidentët amerikanë. CIA ka qenë një palë për vrasjet dhe kaosin në të gjitha pjesët e botës, me pothuajse asnjë mbikëqyrje apo përgjegjësi për vrasjet e panumërta të saj. Është e mundur, edhe pse jo e vërtetuar përfundimisht, që CIA madje të ketë vrarë Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Dag Hammarskjold.

CIA është mbajtur përgjegjëse vetëm për një rast. Seancat e senatit amerikan të vitit 1975 të udhëhequr nga Frank Church. Që atëherë, CIA ka vazhduar mënyrat e saj të dhunshme dhe po, vrastare, pa ndonjë përgjegjësi për këtë apo për presidentët që autorizuan veprimet e saj.

Shumë vrasje masive nga presidentët kanë përfshirë ushtrinë konvencionale. Lyndon Johnson përshkallëzoi ndërhyrjen ushtarake amerikane në Vietnam me pretekstin e një sulmi të Vietnamit të Veriut në Gjirin e Tonkinut që nuk ndodhi kurrë. Richard Nixon shkoi edhe më tej: duke bombarduar Vietnamin, Kamboxhian dhe Laosin, ai kërkoi t’i fuste Bashkimit Sovjetik frikën se ai ishte një lider irracional i aftë për çdo gjë (gatishmëria e Nixonit për të zbatuar “teorinë e tij të çmendur” është ndoshta prova vetë-përmbushëse e çmendurisë së tij). Në fund, lufta amerikane Johnson-Nixon në Indokinë mori miliona jetë të pafajshme. Nuk pati kurrë asnjë llogaridhënie të vërtetë dhe ndoshta krejt e kundërta: shumë precedentë për vrasjet masive të mëvonshme nga forcat amerikane.

Vrasjet masive në Irak nën udhëheqjen e George W. Bushin natyrisht janë më të njohura, sepse lufta e udhëhequr nga SHBA-ja atje ishte për televizor. Një vend gjysmë i qytetëruar i angazhuar në përhapjen e “tronditjes dhe frikës” për të përmbysur qeverinë e një vendi tjetër bazuar në pretendime krejtësisht të rreme. Qindra mijëra civilë irakianë vdiqën si rezultat i kësaj.

Dhe, Barak Obama u sulmua gjerësisht nga e djathta se ishte shumë i butë e megjithatë edhe ai është përgjegjës për një numër të madh vdekjesh. Administrata e tij në mënyrë të përsëritur aprovoi sulme me dronë ku u vranë jo vetëm terroristë, por edhe të pafajshëm dhe qytetarë amerikanë që kundërshtonin luftërat e përgjakshme të Amerikës në vendet myslimane. Ai nënshkroi dekretin presidencial që autorizonte CIA-n të bashkëpunonte me Arabinë Saudite në përmbysjen e qeverisë siriane. Ky operacion “i fshehtë” (i diskutuar shumë pak në faqet e New York Timesit) çoi në një luftë civile të vazhdueshme që ka rezultuar në qindra mijëra vdekje civile dhe miliona të zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Ai përdori sulmet ajrore të NATO-s për të rrëzuar Muammar el-Qaddafin të Libisë, duke rezultuar në një dhunë të dështuar dhe të vazhdueshme shtetërore.

Nën udhëheqjen e Trumpit, Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur vrasjen masive të Arabisë Saudite (përfshirë fëmijë) në Jemen, duke i shitur asaj bomba dhe armë të avancuara me pothuajse asnjë ndërgjegjësim, mbikëqyrje apo llogaridhënie nga Kongresi apo publiku. Vrasja e kryer larg syve të mediave pothuajse nuk është fare vrasje.

Kur bien perdet, si me vrasjen Khashoggit, ne për pak kohë e shohim botën ashtu siç ajo është në të vërtetë. Një kolumnist i Washington Postit vritet në mënyrë brutale dhe copëtohet nga “aleati” i ngushtë i Amerikës. Gënjeshtra e madhe amerikano-izraelite-saudite se Irani është në qendër të terrorizmit global, një pretendim i hedhur poshtë nga të dhënat, kërcënohet shkurtimisht nga shqetësimi zbulimi i fundit të Khashoggit. Princi i kurorës Mohammed bin Salman, i cili me sa duket urdhëroi operacionin, është vënë në krye të “hetimit” të çështjes; sauditët kanë shkarkuar disa zyrtarë të lartë; dhe, Trumpi, një mjeshtër non-stop i gënjeshtrave, përsërit tregimet e gjata saudite në lidhje me një operacion mashtrues.

Disa liderë qeverie dhe biznesesh kanë shtyrë vizitat në Arabinë Saudite. Lista e tërheqjeve të lajmëruara nga një konferencë investimesh është një listë e kompleksit ushtarako-industrial të Amerikës: bankierët të lartë të Wall Streetit, drejtues kompanish të mëdha mediatike dhe zyrtarë të lartë kontraktorësh ushtarakë, siç është kreu i mbrojtjes i Airbusit.

Shtetet e Bashkuara krenohen se janë një demokraci kushtetuese, por kur bëhet fjalë për politikën e jashtme, presidenti nuk është shumë ndryshe nga një despot. Trump sapo ka paralajmëruar tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Traktati i Forcave Bërthamore me Reze të Mesme, pa përmendur fare Kongresin.

Shkencëtarët politikë duhet të testojnë hipotezën e mëposhtme: vendet që drejtohen nga presidentët (si në rastin e Shteteve të Bashkuara) dhe nga monarkë antikushtetues (si në rastin e Arabisë Saudite) dhe jo nga parlamentarë dhe kryeministra, janë të prekshëm nga vrasjet politike. Parlamenti nuk ofron asnjë garanci, por sundimi nga një njeri në politikën e jashtme, si në rastin e Shteteve të Bashkuara dhe të Arabisë Saudite, pothuajse garanton lejimin e një gjakderdhjeje masive.

Amerikanët me të drejtë janë të tmerruar nga vrasja e Khashoggit. Por, mënyrat vrastare të qeverisë së tyre mund të jenë shumë pak më ndryshe. Përhapja e vrasjeve të sponsorizuara nga shteti nuk është kurrë justifikim për trajtimin e vrasjes si të pranueshme. Përkundrazi, është një arsyetim për nënshtrimin e pushtetit ndaj kufizimeve të rrepta kushtetuese dhe sidomos në të drejtën ndërkombëtare, duke përfshirë Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Kjo është shpresa jonë e vetme e vërtetë për mbijetesë dhe siguri në një botë ku dhuna mund të jetë lehtësisht fundit për të gjithë ne. /Project Syndicate/BIRN/

Në trend

Më shumë
Demografia evropiane - cili shtet ka natalitetin më të lartë dhe ku qëndron Kosova?

Demografia evropiane - cili shtet ka natalitetin më të lartë dhe ku qëndron Kosova?

Evropa
Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Boks
Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE, reagime të ashpra ta deputetëve gjermanë – kritikojnë qeverinë e tyre

Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE, reagime të ashpra ta deputetëve gjermanë – kritikojnë qeverinë e tyre

Lajme
Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Botë
Real Madrid ka një bishë 19-vjeçare në skuadër: Turku i talentuar Arda Guler tregoi trupin pas stërvitjeve të shumta

Real Madrid ka një bishë 19-vjeçare në skuadër: Turku i talentuar Arda Guler tregoi trupin pas stërvitjeve të shumta

La Liga
Stjuardesa mbeti e shtangur kur pa se çfarë fshihej në bagazhin e brendshëm të aeroplanit

Stjuardesa mbeti e shtangur kur pa se çfarë fshihej në bagazhin e brendshëm të aeroplanit

Fun
Kalo në kategori