Policia në Gjilan shqipton 1,683 gjoba për një javë, një aksident me fatalitet nën hetim

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor dhe stacionet policore kanë shqiptuar 1,683 gjoba për kundërvajtje në trafik gjatë periudhës 28 gusht – 3 shtator 2026.
Sipas Policisë, aktivitetet janë zhvilluar në kuadër të planeve operative për rritjen e sigurisë në trafik.
Gjatë kësaj periudhe janë hetuar një aksident trafiku me pasoja fatale, 17 aksidente me dëme materiale dhe 12 aksidente me persona të lënduar.
Po ashtu, Policia ka shqiptuar 39 gjoba për mosvendosje të rripit të sigurisë dhe 32 gjoba për përdorim të telefonit gjatë vozitjes. Ndërsa, ndaj 54 ngasësve është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan u ka bërë apel të gjithë ngasësve që të ulin shpejtësinë dhe të respektojnë rregullat e trafikut.
Policia ka kërkuar që drejtuesit të mos përdorin telefonin gjatë vozitjes, të vendosin rripin e sigurisë, të tregojnë kujdes ndaj këmbësorëve dhe të respektojnë sinjalistikën dhe semaforët.
“Shpejtësia nuk është krenari, por shkak i tragjedisë”, thuhet në apelin e Policisë. /Telegrafi/







































