Policia e Kosovës ka kryer bastisje në shtëpinë e serbes A.M., që së bashku me të dashurin e saj, J.I, pjesëtar i forcave ajrore kroate, u arrestuan në Kroaci nën akuza për spiunazh për Serbinë.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, tha se bastisjet u kryen më 27 gusht rreth orës 20:00, pas publikimit të informacioneve se A.M., ishte arrestuar në Kroaci.


Elshani tha se menjëherë autoritetet kosovare kanë verifikuar adresën e të dyshuarës A.M., në Mitrovicë të Veriut.

“Kemi gjetur lokacionin e shtëpisë, kemi pranuar informacione se në atë shtëpi mund të ketë armë, kemi hyrë kemi bastisur këtë shtëpi, kemi gjetur një sprej, disa gëzhoja, fishekë dhe jemi larguar nga ai vend”, u shpreh Elshani.

Sipas Elshanit, autoritetet e Kosovës janë në koordinim të ngushtë me autoritetet kroate për këtë rast.

Më 28 gusht, Prokuroria e Qarkut në Split njoftoi se ndaj të dyshuarve ka caktuar masën e paraburgimit.

Sipas medias kroate, Index, J.I., që në Kosovë ka shërbyer në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, i ka dhënë informacione konfidenciale partneres së tij, të cilat ajo më pas ua ka përcjellë anëtarëve të Listës Serbe.

Ndërkaq, NATO-ja ka thënë se trajton me “seriozitet” pretendimet se piloti kroat ka zbuluar tek e dashura e tij informacione për lëvizjet e serbëve në veri, si dhe të pjesëtarëve të këtij misioni.

Ndërkohë gjatë ditës, Prokuroria Speciale e Kosovës ka thënë se u ka dërguar kërkesë zyrtare autoriteteve të Kroacisë për sigurimin e provave në lidhje me arrestimin e shtetases serbe të Republikës së Kosovës, ndaj të cilës dhe partnerit të saj, Prokuroria e Qarkut në Split ka hapur hetim për spiunazh.

Prokuroria ka njoftuar se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet përkatëse dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore të nevojshme në përputhje me marrëveshjet për bashkëpunim juridik ndërkombëtar.

"Lidhur me arrestimin e një shtetaseje të Republikës së Kosovës në Kroaci, ju njoftojmë se Prokuroria Speciale është në kontakt me autoritetet përkatëse. Tashmë Prokuroria u ka dërguar kërkesë zyrtare për sigurimin e provave autoriteteve të Kroacisë, në përputhje me marrëveshjet për bashkëpunim juridik ndërkombëtar. Prokuroria Speciale do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në lidhje me këtë çështje", kanë thënë Prokuroria Speciale.