LAJMI I FUNDIT:

Poezi dhe mendim abstrakt

Poezi dhe mendim abstrakt

Nga: Paul Valery
Përktheu: Alket Çani

Ideja e poezisë shpeshherë i kundërvihet asaj të Mendimit, e sidomos të “mendimit abstrakt”. Thuhet “poezi dhe mendim abstrakt” siç thuhet e mira dhe e keqja, vesi dhe virtyti, e ngrohta dhe e ftohta. Shumica, pa e vrarë shumë mendjen, besojnë se analizat dhe puna e intelektit, përpjekjet e vullnetit dhe saktësisë ku angazhohet mendja, janë të papajtueshme me atë naivitet burimor, atë pasuri shprehjeje, atë hir e atë fantazi që e dallojnë poezinë e që na bëjnë ta njohim qysh nga fjalët e saj të para. Nëse gjendet thellësi te vepra e një poeti, kjo thellësi duket se është e një natyre krejt të ndryshme nga ajo e një filozofi apo e një shkencëtari. Ka nga ata që arrijnë gjer aty sa të mendojnë se edhe meditimi për artin e vet, rreptësia e arsyetimit të zbatuar në kulturën e trëndafilave, s’mund të bëjnë tjetër veçse ta dëmtojnë një poet, meqenëse objekti kryesor dhe më i hijshmi i dëshirës së tij duhet të jetë komunikimi i përshtypjes së një gjendjeje që po lind (e që po lind lumturisht) emocionin krijues që, përmjet habisë dhe endjes, më në fund të mundet pafundësisht ta shpëtojë vjershën nga çdo përsiatje kritike e mëtejme.

Është e mundur që ky opinion të përmbajë diçka të vërtetë, ndonëse thjeshtësia e tij më bën të dyshoj për origjinën e tij shkollore. Kam përshtypjen se ne kemi mësuar dhe përqafuar këtë antitezë pa u menduar, e se tani e gjykojmë krejt të ngulitur në mendjen tonë, në gjendjen e një kontrasti verbal, sikur ajo të përfaqësonte një marrëdhënie të pastër e reale mes dy nocioneve të mirëpërcaktuar. Duhet shtuar se personazhi përherë i ngutur për përfundim, që ne e quajmë mendja jonë, ka një dobësi për thjeshtimet e këtij lloji, që i japin të gjitha lehtësitë për të formuar disa kombinime dhe gjykime, për të shpalosur logjikën e vet e për të zhvilluar burimet e veta retorike, për të bërë, si përfundim, zanatin e tij mendor në mënyrë sa më të shkëlqyer që të jetë e mundur.

Megjithatë, ky kontrast klasik dhe i kristalizuar nga gjuha, më është dukur gjithmonë shumë brutal, në të njëjtën kohë shumë i rehatshëm, për të mos më cytur në shqyrtimin nga sa më afër të vetë gjërave.

Poezi, Mendim abstrakt. Kjo thuhet menjëherë dhe ne menjëherë besojmë se kemi thënë diçka mjaftueshëm të qartë e mjaftueshëm të saktë për të bërë të mundur vajtjen më tej, pa qenë nevoja e kthimit mbrapa në përvojat tona; për të ndërtuar një teori apo ngritur një diskutim duke e përdorur këtë kundërshti, kaq joshëse për nga thjeshtësia e saj, si pretekst, argument dhe lëndë. Dikush, madje, mund të ndërtojë një metafizikë të tërë – të paktën një «< psikologji » të tërë – mbi këtë bazë, e të bëjë një sistem të jetës mendore, të njohjes, të krijimit dhe të prodhimit të veprave të mendjes, pasojë e pashmangshme e së cilës do ishte e njëjta zhangëllimë terminologjike që i pat shërbyer për zanafillë…

Sa më përket mua, kam maninë e çuditshme e të rrezikshme të dëshiroj, në çdo lëndë, të filloj nga fillimi (domethënë nga fillimi im individual) atë që sapo ka rifilluar, të ribëj një rrugë të tërë, sikur kaq e kaq të tjerë të mos e kishin përshkuar sakaq …

Kjo rrugë është ajo që na ofron apo na imponon gjuha.