LAJMI I FUNDIT:

Podujeva vend i mjedrës

Podujeva vend i mjedrës

Podujeva është njëri ndër vendet në të cilin pemët e imta kultivohen në sipërfaqe mjaft të mëdha. Njëra ndër këto kultura, e cila kultivohet nga fermerët e këtij rajoni është mjedra, e cila sipas fermerëve kërkon shumë mund, por se leverdishmëria e kultivimit të saj është mjaft e madhe, pasi që edhe kërkesat për të janë shtuar mjaft viteve të fundit. Por, përkrahje këtyre fermerëve i kanë dhënë edhe institucionet qendrore e lokale, si dhe organizatat e ndryshme të cilat përkrahin zhvillimin e sektorit të bujqësisë në Kosovë.

Sami Uka nga fshati Dyzë i Podujevës, ka filluar kultivimin e mjedrës para një viti. Ai tregon se është i kënaqur me kultivimin e kësaj kulture bujqësore të cilën e kultivon në një hapësirë prej 1.5 hektarëve. “Kultivimin e mjedrës e kam filluar para një viti dhe jam shumë i kënaqur pasi që nga një sipërfaqe prej 1 hektar e 50 ari, kam arritur të kem rendimente prej 7 tonëve”, tha Uka.


Ai tregon se për të filluar kultivimin e mjedrës është përkrahur me fidanë nga Programi “Mundësi të Reja në Bujqësi” NOA i USAID-it, ndërkaq Komuna e Podujevës e ka përkrahur me sistemin e ujitjes pikë-pikë.

Kultivuesi i mjedrës, Sami Uka tregon se ka leverdi kultivimi i saj vetëm se donë punë. “Ia vlen të kultivohet mjedra pasi që ka treg të sigurt, ku këtë vit e kam shitur për 1.50 euro kilogramin”, tha ai.
Uka duke e parë leverdinë ka bërë plane për rritje të sipërfaqeve. “Po do të vazhdojë të kultivojë mjedrën pasi që ka leverdi. Kam bërë plane dhe kam përgatitur tokën në një hapësirë prej një hektari që ta kultivojë me këtë kulturë”, tha Uka.

Në anën tjetër, këshilltari për bujqësi në Komunën e Podujevës, Xhafer Sekiraqa, ka bërë të ditur se sipërfaqet me mjedër në këtë komunë viteve të fundit janë duke u rritur në vazhdimësi.

Sipas tij, në rritjen e sipërfaqeve ka ndikuar edhe përkrahja e komunës për fermerët. “Në Komunën e Podujevës janë të kultivuara 34 hektarë me mjedër ndërsa komuna sivjet ka marrë pjesë në përkrahjen e 20 hektarëve me sistem për ujitje pikë – pikë për 28 përfitues për fidanë të mjedrës të dhuruara nga USAID-i”, ka thënë Xhafer Sekiraqa.

Pavarësisht kushteve të favorshme si dhe traditës për prodhimin e pemëve, statistikat bujqësore tregojnë se edhe pse prodhimi i pemëve ka pasur rritje gjatë viteve të fundit si rezultat i rritjes së sipërfaqeve dhe rendimenteve, Kosova ende vazhdon të importojë sasi të konsiderueshme frutash të freskëta, të thata, të përpunuara (kryesisht në forme konservash dhe lëngjesh).

Ndërkaq, në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, thonë se për të shtuar cilësinë dhe sasinë e prodhimtarisë pemëtarë, gjatë viteve të fundit kanë përkrahur përmes granteve një numër të madh të pemëtarëve në gjithë territorin e Kosovës, duke përfshirë edhe kultivuesit e pemëve të imta./FermaIme/Telegrafi/