LAJMI I FUNDIT:

Po thellohet hendeku mes Kosovës dhe Veriut të saj

Po thellohet hendeku mes Kosovës dhe Veriut të saj

Veriu i Mitrovicës po pasurohet, Jugu i Mitrovicës po varfërohet. Kjo është pasojë e politikës "integruese". Veriu po financohet nga të ardhurat e dy pikave doganore (sipas marrëveshjes se Brukselit), nga Bashkimi Evropian, nga Qeveria amerikane, nga Qeveria e Serbisë dhe nga Qeveria e Kosovës. Jugu i Mitrovicës po gjallëron vetëm në saje të optimizmit të Agim Bahtirit. Asnjë ndihmë Veriut nuk kushtëzohet me bashkëpunim me Jugun.

Cili serb me mend në kokë do të dëshironte të integrohej në një situatë të tillë?


Ka 16 vite që bërtas në kupë të qiellit që integrimi i Veriut të Kosovës bëhet duke investuar në Jug të Mitrovicës. Serbi i veriut e ka larg ta shohë zhvillimin e Prishtinës apo Prizrenit por e ka fare pranë ta shohe varfërinë e prapambeturinë e Jugut të Mitrovicës. Kjo varfëri e Jugut të Mitrovicës ia neveritë Kosovën dhe institucionet e saj. Sa herë që një serb bëhet nervoz me Beogradin ai kthen kokën nga Jugu i Mitrovicës, por ky nuk i jep as edhe një shpresë. Në rastin më të mirë mund të ndjejë dhimbje për karandisjen e kësaj pjese të qytetit, por jo edhe simpati.

Qasja integruese do të duhej të ishte krejt e kundërt me këtë çfarë po ndodhë aktualisht. Për të integruar Veriun e Kosovës duhet të investohet në Jug të Mitrovicës 5 fishin e asaj çfarë investohet në Veri, dhe ajo çfarë jepet në veri të kushtëzohet me bashkëpunim me Jugun, dhe këtë duhet thënë edhe miqëve tanë në Uashington e Bruksel.