“Po shikojmë të gjitha skenarët”, përzgjedhësi i Spanjës flet për lëndimin e Lamine Yamal

Përzgjedhësi i Spanjës, Luis de la Fuente, ka folur për situatën e dëmtimeve që po prek disa futbollistë të kombëtares para Kupës së Botës 2026, me Lamine Yamal ndër më të spikaturit në dyshim pas një problemi në muskujt e kofshës.
Yamal ka munguar rreth pesë javë dhe sipas raportimeve, paraqitja e tij në ndeshjet e para të Spanjës në Botëror mbetet e pasigurt. Sulmuesi i Barcelonës pritet ta humbasë ndeshjen e parë në grup dhe mund të rikthehet gradualisht më vonë gjatë turneut, varësisht nga ecuria e rikuperimit.
Duke folur në një konferencë mjekësore në Madrid, De la Fuente theksoi se përzgjedhja e lojtarëve nuk do të varet vetëm nga gatishmëria e plotë fizike, por edhe nga ndikimi që ata mund të japin, qoftë edhe në minuta të kufizuara.
“I marrim parasysh të gjithë skenarët e mundshëm. Nëse je duke fituar, nëse je duke humbur, nëse kundërshtari mbetet me dhjetë lojtarë… Ka futbollistë që mund të kontribuojnë 20 minuta dhe kjo është po ashtu shumë e vlefshme”, u shpreh ai.

Trajneri i Spanjës përmendi edhe rastin e Dani Olmos në një turne të mëparshëm, si shembull se si lojtarët që nuk janë 100% mund të rezultojnë vendimtarë.
“Olmo erdhi i dëmtuar; ishim pranë përjashtimit të tij, por më pas doli vendimtar në Kampionatin Evropian”, shtoi De la Fuente.
“Ka lojtarë që nuk mund të të japin 50 apo 60 minuta, por mund të të japin 20 shumë të mira. Dhe kjo mund ta bëjë diferencën.”
Spanja po menaxhon edhe shqetësime të tjera para turneut, me futbollistë si Mikel Merino dhe Victor Munoz që gjithashtu kanë probleme me formën fizike. Federata pritet ta finalizojë listën e Botërorit në ditët në vijim./Telegrafi/





















































