LAJMI I FUNDIT:

Po pres reagimin e Brukselit!?

Po pres reagimin e Brukselit!?

"Kosova është djepi i Serbisë. Kosovën nuk do ta harrojmë kurrë", ka deklaruar kryeministri i një shteti të huaj në brendësi të shtetit të Kosovës, Aleksandar Vuçiq.

Deklarimet e tij nuk janë të frikshme e as të papritura, por është tjetra, ajo që këtu është shqetësuese dhe e frikshme: Qeveria e Kosovës, pa ndalur përsëritë se "Kosova është shtet i pavarur, demokratik dhe i pacenueshëm në aspektin territorial". E, në anën tjetër, në zemër të Kosovës, e në pikë të ditës, Serbisë agresive i lejohet të përdorë retorikën mitologjike e luftënxitëse.


Mos të harrojmë se ishte po ajo mitologjia serbe dhe gojëdhëna serbe, ajo që nxiti dhe ushqeu nacionalizmin serb për të kryer gjenocide ndaj popujve të tjerë në shtetin e ish-Jugosllavisë. Fjalimi luftënxitës e me urrejtje i një kryeministri të huaj në një shtet tjetër, është jo vetëm skandal politik e jo diplomatik, por edhe poshtërim publik dhe ndërhyrje në sistemin politik të një shteti tjetër.

Pyes me shqetësim: Si do të reagonte Qeveria italiane sikur kryeministri i Sllovenisë Tirolin Jugor ta quante "zemër e Sllovenisë"? Si do të reagonte Qeveria gjermane sikur kryeministri francez Republikën e Saarlandit do ta quante "zemër e Francës”? Përsëri pyes si do të reagonte Qeveria e Serbisë nëse kryeministri i Hungarisë Vojvodinën do ta quante "zemër e Hungarisë". Konsekuent deri në fund, si do të reagonte Qeveria e Serbisë nëse Qeveria e Kosovës Sanxhakun do ta quante "zemër e Shqipërisë"?

Loja dhe përdorimi i fjalëve luftënxitëse filloi dhe përsëri udhëheqëse në këtë "lojë" është politika nacionaliste e raciste e Serbisë. Kështu e filloi edhe Millosheviqi, duke ndjekur nga pas veprimet dhe shembullin e Gavrillo Principit, serbit të Sarajevës që pushkatoi princin austriak Franz Frdinand dhe gruan e tij Sophie von Huhenberg më 28 qershor 1914.

Po pres reagimin e Brukselit!?