LAJMI I FUNDIT:

Po hetohet edhe gruaja e sulmuesit në Orlando

Po hetohet edhe gruaja e sulmuesit në Orlando

Prokurorët amerikanë ka mundësi të ngrisin aktakuzë ndaj bashkëshortes së autorit të sulmit në Orlando, ku u vranë 49 persona dhe u plagosën shumë të tjerë.

Prokurorët dyshojnë se ajo ndonëse kishte njohuri për sulmin, nuk e kishte njoftuar policinë, raportojnë mediat amerikane.

Agjencia e lajmeve, Reuters dhe “FoxNews.com” kanë raportuar se prokurorët e kanë organizuar një juri të madhe për të hetuar bashkëshorten e Omar Mateen, Noor Salman.

Padia mund të ngritet duke e akuzuar atë si ndihmëse për vrasjet.

“NBC News” ndërkaq raporton se Salman ka bërë përpjekje që të bisedoj me bashkëshortin e saj duke i kërkuar që të heq dorë nga sulmi, por ajo gjithashtu i ka thënë FBI-së se njëherë e ka vozitur deri te klubi i natës, “Pulse”, sepse ai dëshironte që ta vëzhgojë lokalin, transmeton Evropa e Lirë.

Mateen, i cili u vra nga policia brenda lokalit më 12 qershor, e kishte thirr në telefon policinë gjatë sulmit duke thënë se është besnik ndaj grupit militant, Shteti Islamik.

Raportohet se ai e kishte thirr në telefon edhe gruan e tij.

Hetuesit federal dhe Shtëpia e Bardhë kanë thënë se ai është radikalizuar vet, dhe se nuk ka ndonjë dëshmi që thotë se ai ka marrë instruksione apo ndihmë nga grupe si Shteti Islamik.

Por, FBI gjithashtu është duke i hetuar raportimet se Mateen e ka vizituar disa herë klubin ku e kreu sulmin, duke kërkuar takime me homoseksualë, dhe se ai kishte një jetë sekrete prej homoseksuali, megjithëse e ka shprehur urrejtjen e tij ndaj tyre.