Plumbi i snajperit izraelit godet nusen palestineze në Gaza, disa ditë para dasmës së saj

Dhjetë ditë para dasmës së saj, Hala Salem Darwish po përgatitej për një festë.
Në vend të kësaj, ajo është dërguar në kujdes intensiv pasi një plumb nga një snajper izraelit shpoi shtëpinë e familjes së saj dhe e goditi në kokë, duke e shndërruar numërimin mbrapsht të dasmës së saj në një luftë për mbijetesë.
Dhe sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, 19-vjeçarja u rrëzua para të afërmve të saj pasi plumbi hyri nga një dritare pak para perëndimit të diellit.
"Kishin mbetur vetëm 10 ditë deri në dasmën tonë", i tha agjencisë Anadolu i fejuari i saj, Mohammed Shreihi.
"Në një moment të vetëm, gjithçka ndryshoi".
Plumbi mbetet i bllokuar në kokën e saj dhe shkaktoi dëme të rënda në indet e trurit, duke e lënë gjendjen e saj kritike dhe të paqëndrueshme.
Mjekët deri më tani nuk kanë qenë në gjendje ta operojnë.
Babai i saj, Salem, tha se ky moment vazhdon ta përndjekë.
"Ne po përgatisnim ushqim kur papritmas një plumb izraelit hyri nga dritarja dhe e goditi", tregon ai. "Ajo ra para nesh. Nuk mund ta harroj atë skenë".
Dasma e saj ishte planifikuar për në fillim të majit.
E rasti i Halës pasqyron realitetin në Gaza, ku sistemi shëndetësor është shtyrë në prag të rrënimit.
Vlerësimet palestineze tregojnë se rreth 22,000 të plagosur dhe të sëmurë duhet të largohen nga territori për trajtim.
I fejuari i saj i bëri thirrje Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe organizatave humanitare të ndërhyjnë.
Izraeli ka vazhduar të kryejë shkelje të përditshme të një marrëveshjeje armëpushimi të nënshkruar tetorin e kaluar, duke vrarë 830 palestinezë dhe duke plagosur 2,345 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.
Armëpushimi kishte për qëllim t'i jepte fund një sulmi dyvjeçar izraelit që la më shumë se 72,000 të vdekur dhe shkatërroi 90 përqind të infrastrukturës civile.
OKB vlerëson kostot e rindërtimit në rreth 70 miliardë dollarë. /Telegrafi/



















































