LAJMI I FUNDIT:

Plagosja e Azem Vllasit, Fatmir Limaj sot jep dëshminë e tij

Plagosja e Azem Vllasit, Fatmir Limaj sot jep dëshminë e tij

Fatmir Limaj, zëvendëskryeministër i Kosovës është dëshmitari i radhës në rastin e plagosjes së avokatit Azem Vllasi, rast i njohur si ‘Syri i Popullit’.

Limaj është ftuar të dëshmoj pasi sipas pretendimeve të Prokurorisë ka qenë në listën e personave të cilët ishin paraparë për likuidim nga organizata “Syri i Popullit”.


Në seancat e kaluara të këtij rasti, kanë dëshmuar edhe presidenti Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, nënkryetari Xhavit Haliti.

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 10 personave në lidhje me këtë rast më 28 shkurt.

Pjesë e aktakuzës janë vepra penale, si hakmarrje, ndihma, dhunimi, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe hakmarrje.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

Sipas aktakuzës, organizata kishte grupe guerile, ndërsa kërkonte që Enver Hoxha të njihej si hero.

Murat Jashari, i cili akuzohet se kishte shtënë me armë duke e lënë të plagosur Azem Vllasin dhe 9 persona tjerë janë të akuzuar në rastin ”Syri i Popullit”. /kallxo.com/