Kompania Rajonale e Mbeturinave (KRM) Ambienti ka njoftuar se ka përfunduar procesi i mbulimit me dhe i deponisë së qytetit të Pejës, ku janë përdorur rreth 24 mijë metra kub material.

Sipas KRM Ambienti, deponia aktualisht është në gjendje stabile, ndërsa zjarri dhe tymi janë eliminuar plotësisht.


Kompania ka bërë të ditur se me mbulimin me dhe janë zbatuar rekomandimet e Inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), ndërsa, sipas rekomandimeve profesionale, po vazhdon edhe procesi i ajrosjes së zonës.

Ecurinë e punimeve e kanë përcjellë nga afër kryetari i Bordit të Drejtorëve, Gramoz Xhemajli dhe kryeshefi ekzekutiv, Diedon Berisha.

KRM Ambienti ka vlerësuar se angazhimi, koordinimi dhe vendimmarrja e tyre kanë qenë të rëndësishme në menaxhimin e situatës dhe rikthimin e stabilitetit në deponi.

Në njoftim, kompania ka ngritur shqetësimin për zjarrvëniet e qëllimshme gjatë sezonit të verës, duke thënë se raste të tilla ndër vite kanë shkaktuar probleme të vazhdueshme në deponi dhe kanë ndikuar edhe te banorët përreth.

KRM Ambienti ka vlerësuar se përmes bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe akterëve të përfshirë, situata në deponinë e qytetit të Pejës është rikthyer në normalitet. /Telegrafi/