LAJMI I FUNDIT:

Piruni

Piruni

Një nga filmat që për temë kanë mbretin e Anglisë, Henry VIII (1491 – 1547), përmban një skenë interesante. Sekretari i shtetit hynë në zyrën e mbretit me një krah dokumente dhe ia lëshon një nga një në tavolinë monarkut anglez për t’i nënshkruar. Kur kryhet ky proces, rutinë e përditshme, sekretari i drejtohet mbretit famoz, Henry VIII, me këto fjalë: ’Lartmadhëri, në Francë kanë filluar ta përdorin një mjet për ngrënie të cilin po e quajnë pirun’. Pastaj, sekretari me plot urti dhe me kujdes, që të mos e shqetësoj mbretin, i sugjeron: ’Ndoshta nuk është keq që edhe ne të fillojmë me përdorimin e këtij mjeti’. Mbreti e shikon me habi dhe me fytyrë të mërrolur sikur që dëshiron t’i thotë: ’Dil jashtë, hajvan’.

Në realitet as në Francë e as në Angli piruni nuk do të përdorej para shekullin XVII. Piruni në Evropë erdhi nga Bizanti dhe disa shtete tjera të Lindjes së Mesme ku përdorej në familjet mbretërore dhe aristokrate. Piruni duket se për herë të parë kishte ardhur në Itali në shekullin XVI. Është shënuar se pas një shekulli, në vitin 1633, mbreti i Anglisë, Charles I, të ketë deklaruar: ‘Ngrënia me pirun është mënyrë e pranueshme’. Dhe kështu, gradualisht aristokracia angleze filloi ta fuste këtë mjet në përdorim dhe u paralajmërua një fazë e re e rregullave të civilizuara të ushqimit. Megjithatë, te populli anglez piruni nuk gjeti përdorim deri në shekullin XIX. Deri atëherë në popull thuhej: ’Është mallkim dhe sjellje e keqe të hedhet ushqimi në gojë, ashtu siç hedhet kashta ose sana me tërfurk në pleme’.


Në vitin 1905, Edith Durham, duke udhëtuar nga Cetina për Shkodër, ishte ndalur në një han në Malësi të Madhe. Aty ajo e kishte observuar mënyrën e përgatitjes dhe ngrënies së ushqimit dhe kishte vërejtur që shumica e enëve dhe mjeteve të ushqimit ishin ‘importime turke’. Ajo i kishte vizatuar pamjet që i kishte vërejtur dhe në një fjali që shihet edhe në këtë postim, thotë: ’Piruni këtu është i panjohur’. Në realitet, piruni në këtë kohë nuk ishte i njohur as në mesin e popullsisë në Mal të Zi, Serbi e Maqedoni… Në fakt, do të kalonte një kohë derisa piruni të hynte si mjet i domosdoshëm për ngrënien e ushqimit te shqiptarët.

Në vitet e ‘60-ta të shekullit të kaluar, kultura e ushqimit te ne shqiptarët ka qenë ndryshe nga kjo që është sot. Në atë kohë, në dhomën tonë të ditës, e cila në disa aspekte e luante edhe rolin e kuzhinës, para murit që ishte përballë dritares, qëndronte ‘kredenaci’. Përkrah ‘kredenacit’, në anën e tij të majtë qëndronte ‘astalli’ me katër ‘sandalia’. ‘Sandaliat’, pasi që nuk kishin mbështetëse, rrinin gjithmonë nën ‘astall’ i cili në pjesën e përparme kishte një fjokë.

Fjoka e ‘astallit’ për mua ka qenë pjesa më intriguese e të gjitha orendive, por edhe dhomave që kishte shtëpia. Në fjokë mbanim një unazë të sermit dhe një brisk rroje me kallëp ngjyrë të kaltër në të cilën shkruante ‘Европа Скопје’ (Evropa Shkup). Këto ishin të vetmet gjëra personale të gjyshit tim që i kishim ruajtur deri atëherë, falë gjyshes tonë që kujdesej për to. Babai im aty e vendoste edhe cigarellëkun e tij të qelibarit i cili ishte i punuar me ornamente të bukura të sermit në formë të filigranit.

Në fjokë të ‘astallit’ unë i fusja edhe nja katër ‘vilushka’ të cilat kanë qenë nga alumini, sikur edhe lugët por që ato vendoseshin në ‘kredenac’. Gjyshja nuk lejonte që këtu të vendoseshin gjëra tjera dhe i hiqte ‘vilushkat’ nga aty sapo merrte vesh për veprimin tim. Kur nuk kishte njerëz në shtëpi, apo së paku në këtë dhomë, unë vrapoja te ‘astalli’. Kur e tërhiqja fjokën për ta hapur, ajo lëshonte disa kërsima të njohura për mua, që dilnin nga rrokullisjet e këtyre gjërave që ishin brenda. Unazën e madhe të sermit që në mes kishte një gurë të kaltër fisnik e vendosja në gisht, kurse briskun e përdorja duke pretenduar se isha gjyshi dhe se po rruhesha duke e mbajtur cigarellëkun në gojë. Kjo ka qenë koha e mesit të viteve të ‘60-ta kur unë në fytyrë nuk kisha se çka të rruaja. Me një fjalë, do të më duhej më shumë se një dekadë për t’u bërë për brisk dhe duhan.

Por, nuk e dija saktësisht se çka duhet të bëja me ‘vilushkat’. Prandaj, pasi që ato e kishin formën e tërfurkut, i përdorja si armë-lodër dhe imitoja ndonjë trim që ia ngulte në trup ndonjë njeriu të keq. Sipërfaqen e ‘astallit’ që ishte e mbuluar me një mushamë të plastifikuar, në të cilën kishte të vizatuara disa limona dhe gjethe, e kisha bërë krejt bira-bira. Për këtë arsye ‘vilushkave’ ia pata thyer ‘dhëmbët’ dhe dikur ato filluan ta merrnin formën e gojës së pleqve që u mungonin dhëmbët e përparmë.

Tashti më duhet ta bëjë një sqarim për të vazhduar më tutje me tregimin. Deri kur kam shkuar në shkollë, nuk e kam ditë se ‘astalli’ është tavolinë, ‘sandalia’ karrige, kurse ‘vilushka’ pirun. ‘Kredenaci’ ka qenë një lloj vitrine për kuzhinë, që mbante enët – siç ishin tenxheret, fërteret (zakonisht një), tepsitë, pjatat filxhanët, gotat etj. Natyrisht që shkolla e kryen edhe procesin e unifikimit të gjuhës kombëtare të amvisërisë apo asaj kulinareske. Pa marrë parasysh gjuhën, gjyshja ime ishte e bindur që me ‘vilushka hanë veç shkiet’ dhe ne besonim që ishte ashtu. Sidoqoftë, që të gjitha këto ishin mjete të kuzhinës të cilat ne nuk i përdornim asnjëherë. Uleshim rreth sofrës dhe hanim bukë duke e përdorur vetëm lugën. Madje, prindërit e mij, dhe gjyshja ime të cilën unë e thërrisja Loke, sofrën e quanin tërvesë dhe këtë fjalë e përdornim edhe ne fëmijët. Tërvesën më vonë e quanim sofër.

Pasi që unë i besoja lokes, pritja që një ditë te ne do të vinin serbët dhe do të hanin me pirunjtë. Dhe, unë natyrisht që do t’i shikoja. Por, çka do të hanin ata se? Imagjinata ime fëmijërore prodhonte skena të ndryshme ku rolin kryesor e kishte piruni. Megjithatë, serbët bënë mire që nuk erdhën kurrë se unë nuk iu lashë shumë dhëmbë pirunjve. Por, paramendojeni sikur të kishin ardhur? Do të na shkonte fytyra për shkak se unë i kisha ‘masakruar’ pirunjtë.

Pra, pirunjtë, madje as thikat, nuk i përdornim kurrë pasi që nuk kishte nevojë për to. Atëherë ushqimet tona kanë qenë kryesisht të lëngëta (pasuli, orizi ose çorbat e supat e ndryshme) ku kryente punë vetëm luga. Ushqimet e ngurta, pitet apo lakrorët ose mishi i pulës që ishte i rrallë si çdo mish tjetër, haheshin me dorë, pa mjet ndërmjetësues, sikurse edhe sot. Do t’ju shkoj mendja disave që thika dhe piruni do të duheshin për mishin e terur të pastërmave. Jo, nuk kishte nevojë për këto dy mjete as në këtë rast. Me fjalë tjera, ne atëherë hanim në të njëjtën mënyrë siç hante edhe Louis XIV kur në Versajë nuk përdorej piruni.

Por, gjërat ndryshuan me fundin e viteve të ‘70-ta kur piruni, së bashku me thikën, do të fillonin të shiheshin në tavolinat tona. Pra, edhe te ne ndryshoi kultura e ushqimit dhe në mënyrë popullore u adoptua piruni si mjet i domosdoshëm për ngrënie. Kjo nuk ishte vetëm ndikim kulturor nga jashtë por u bë kështu se u rrit standardi i jetës së shqiptarëve, dhe me të edhe konsumimi i mishit që në tavolinat tona filloi të vinte në forma të ndryshme.

Pasi që sonte është nata e Vitit të Ri, ju me siguri do të hani mish dhe do ta përdorni pirunin dhe thikën. Por, duhet të keni kujdes se këto dy mjete mund të jenë të rrezikshme nëse nuk përdoren si@ duhet. Duhet ta mbani në mend se ne nuk kemi përvojë të gjatë në përdorim, sidomos të pirunit!

P.S. Pirunin në dorë të majtë kurse thikën në të djathtën!

Në trend Kultura

Më shumë
Ali Pasha donte marrëdhënie diplomatike e tregtare edhe me Amerikën e largët!

Ali Pasha donte marrëdhënie diplomatike e tregtare edhe me Amerikën e largët!

Kulture
Piruni

Piruni

Daut Dauti
VDES NGADALË

VDES NGADALË

Poezi
IDIL I VDEKUR

IDIL I VDEKUR

Poezi
Sabahetja e Prishtinës

Sabahetja e Prishtinës

Kulture
Biznesi i filmave ... mbaroi!

Biznesi i filmave ... mbaroi!

Kulture
Kalo në kategori