LAJMI I FUNDIT:

Pirateria digjitale, sprova jonë e radhës

Pirateria digjitale, sprova jonë e radhës

Pirateria digjitale është një fenomen prej kohësh problematik në tregun jo vetëm online. Shifrat në humbje të kompanive të mëdha dhe serioze, të cilat kanë hyrë në treg bazuar mbi disa parime etike biznesi kanë vënë alarmin prej kohësh për këtë situatë që sot në Shqipëri është kthyer në një fenomen të pandalshëm vjedhjeje. Evropa dhe shtete të saj kanë vite që mbështeten në publikime dhe gjetje studimore shumë interesante mbi të dhënat që jep tregu. Por shifrat që ata japin nuk mbesin në letër. Autoritetet duken se janë treguar të vëmendshme prej vitesh duke marrë masat përkatëse në bashkëpunim me institucionet përkatëse duke i rregulluar mekanizmat ligjorë në dëm të piraterisë. Po si është gjendja e këtij fenomeni në një prej shteteve evropiane që vetëm pak vite më parë kapte shifra të çmendura në piraterinë digjitale duke i shkaktuar vendit humbje të mëdha në buxhetin e vet? Spanja prej vitesh bën studimin e këtij tregu dhe kërkimet duken se kanë dhënë rezultatet e para.

Në vitin 2017, vlera financiare e aksesit të paligjshëm në përmbajtjet të ndryshme që ofrojnë shërbimet audiovizive dhe online në Spanjë kapën shifrën e 21. 899 miliardë eurove, duke paraqitur kështu një rënie prej 6 për qind, krahasuar me vitin 2016 dhe një rënie të akumuluar prej 9 për qind, krahasuar me vitin 2015.

Pirateria digjitale ka pësuar një rënie në Spanjë për të dytin vit radhazi në aspektin e shifrave absolute, edhe pse për qindja e individëve që kanë akses në përmbajtjet që u vidhet e drejta e autorit mbetet e njëjtë. Kështu, në vitin 2017 u regjistruan rreth 4.005 miliardë euro prej aksesit të paligjshëm në përmbajtje që kapin një vlerë tregu prej 21.899 miliardë euro. Humbja e pësuar në këtë sektor u rrit në 4.1 për qind, duke kapur shifrën e 1.857 miliardë eurove.

Këto janë disa nga rezultatet kryesore të grumbulluara nga “Observatori për piraterinë dhe konsumin e përmbajtjeve digjitale 2017”, i kryer nga një institut i pavarur kërkimesh dhe analizash i quajtur GFK (Growth from Knowledge). Publikimi i këtij raporti u krye nga Aleanca e Krijuesve, Industrive të Përmbajtjes dhe LaLiga (http://www.laliga.es/).

Carlota Navarrete, drejtoreshë e Aleancës, pat shpjeguar në një dalje publike se trendi që ka nisur që prej vitit 2016 për të ulur piraterinë në përmbajtje, po e ruan vlerën e saj dhe megjithëse ata shprehen se janë ende larg nga numri i website-ve pirate të bllokuara si p.sh., Portugalia ku janë bllokuar më shumë se 800, ose Italia (rreth 450 ), ata besojnë se rezultatet duken të jenë pasqyrë e një angazhimi të drejtë. Kërkesat e tyre për të forcuar dhe përshpejtuar zbatimin e masave legjislative, si dhe për të rritur stafin dhe burimet teknike të Administratës Publike, gjatë kryerjes së fushatave ndërgjegjësuese, dukej që mbetet një vendim shumë i mirë. Kjo nismë tregon se përpjekja e vazhdueshme e ndërmarrë nga industria për të luftuar piraterinë në të gjitha nivelet dhe rritja pothuajse e 90% e kërkesave të paraqitura përmes procedurës administrative, bënë që vitin e kaluar këto autoritete të korrnin suksese të rëndësishme në procedurat civile dhe penale. Megjithëse problemi vazhdon të mbetet ende serioz, ky përparim i lehtë në luftën kundër piraterisë është një inkurajim për të vazhduar punën duke kërkuar nga të gjithë aktorët privatë dhe publikë që të bëjnë përpjekje më të mëdha për ta luftuar atë. LaLiga nga ana tjetër, anëtare e këtij koalicioni që mbështet gjetjet e këtij studimi duket e kënaqur të vazhdojë ky lloj trendi, ai i uljes së numrit të individëve që ndjekin futbollin në faqe ilegale. Të dhënat tregojnë gjithsesi se numri i tyre është zvogëluar me 5 pikë përqindje që nga viti 2015; nga 21 për qind në 2015 në 16 për qind në vitin 2017. Pas krijimit në LaLiga të një departamenti posaçërisht për luftën kundër piraterisë audiovizive dhe mbrojtjen e të drejtave audiovizive, LaLiga ka bllokuar 12 website në internet.

AKSESI I PALIGJSHËM, TË ARDHURAT DHE QËNDRIMET

Përqindjet e individëve që kanë akses të paligjshëm në përmbajtje ndahen në ata që ndjekin muzikë (22%), filma (33%), video lojëra (11%), libra (24%), seriale televizivë (30%) dhe futboll (10%). 1.857 miliardë euro lëvizin të ardhurat prej piraterisë si p.sh.; muzika 507 milionë euro, filma 453 milionë euro, seriale televizive 167 milionë euro, libra 203 milionë euro, videogame 242 milionë euro dhe futboll 285 milionë euro. 51 për qind e konsumatorëve që kanë qasje në përmbajtjet e paligjshme argumentojnë se përmbajtja origjinale është shumë e shtrenjtë ndërsa 43 për qind e tyre thonë se aksesi tek këto përmbajtje është shumë i shpejtë dhe i lehtë. Sipas studimit të gjitha këto përqindje janë më të larta në krahasim me ato të vitit 2016. Ndërsa 25 për qind e tyre mendojnë se nuk po bëjnë kurrfarë dëmi ose mendojnë se nuk ka pasoja ligjore për ata që piratojnë, dhe që këndej asgjë nuk ndodh.

Edhe pse këto gjetje kanë dalë nga një institut serioz kërkimesh dhe analizash dhe ky nuk është viti i parë që realizohet ky lloj studimi me temë mbi piraterinë, kjo gjë dëshmon se ende lind nevoja prej autoriteteve për të dërguar mesazhe të qarta për këtë çështje. Përveç kësaj, sipas rezultateve të studimit të mësipërm prej Observatorit, 15% e konsumatorëve pranojnë se kanë vështirësi të mëdha për të diferencuar faqet e ligjshme nga ato të paligjshme ndërsa një tjetër grup prej 44 për qind pranon se mund ta dallojë origjinalin me atë që bën piratin, pra që vjedh autorësinë. 68% e përdoruesve që bëjnë një lidhje interneti marrin parasysh kryesisht shpejtësinë, që mundëson qasje më të shpejtë në përmbajtje. Kjo përqindje është e njëjtë me atë të vitit 2016. Megjithatë, për qindja e përdoruesve që vlerësojnë veçanërisht ofertën e kombinuar (shpejtësi të lartë ose fibre plus content) me ofrues të zgjedhur në internet, është rritur deri në 56% krahasuar me 51% në vitin 2016.

SI TË KEMI AKSES DHE BURIMI I TË ARDHURAVE

Sa i përket mënyrës si të kemi akses në faqet pirate, theksojmë se janë motorët e kërkimit ata, të cilët vazhdojnë të kenë peshën kryesore në kërkimin e përmbajtjeve të paligjshme, me 75%, dhe google është përdorur për të aksesuar në përmbajtjet pirate. Sa i përket rrjeteve sociale, ‘Facebook’, gjithashtu, ka pasur një akses të padiskutueshëm në të tilla website (83%), e ndjekur nga ‘Tweeter’ me (42%) dhe ‘Istagram’ me (34%). ‘Facebook’ ka arritur të nënshkruajë marrëveshje të rëndësishme sa i përket industrive të ndryshme për t’u bërë burim i ligjshëm dhe për të rregulluar aksesin në përmbajtje. Për qindja e website-ve tek të cilat u aksesuan përmbajtje ilegale të financuara nga reklamat u rrit deri në 95% (67% në vitin 2016). Nga një publicitet i tillë, 68% korrespondon me lojërat në internet dhe faqet e basteve, 58% përcakton vendin dhe më shumë se 55% ka një përmbajtje të rriturish.

Burimi i të ardhurave i këtyre website-ve sigurohet në forma të ndryshme. Duhet theksuar se 8 nga 10 të tilla regjistrohen fillimisht si përdorues, duke i deklaruar dhe të dhënat personale të cilat piratët i mbledhin në një program të dhënash, të cilat më pas i përdorin gjatë fushatave të marketingut elektronik, duke arritur çmime shumë të larta në treg. Faqet pirate marrin të dhëna shumë më të vlefshme sesa mund të përfytyrohet duke u mundësuar atyre të zotërojnë përfitime të rëndësishme ekonomike, si p.sh., lundrimi në internet, preferencat, pëlqimet apo dhe blerjet online.

Mjetet e pagesës, gjithashtu, kanë një rol të rëndësishëm në drejtimin e faqeve pirate, veçanërisht në rastet kur këto vende komercializojnë llogaritë premium, marrin donacione ose standardizojnë një sistem për të dërguar mesazhe nëpërmjet celularit tek përdoruesit e regjistruar, për të informuar mbi nxjerrjen në shitje të përmbajtjeve të reja në vend, etj. Konsumatorët e piraterisë së librave janë ata të cilët janë më të gatshëm të paguajnë për të shmangur reklamat (43%), ata që përdorin videogame dhe filma (39%), seriale televizive (37%) dhe konsumatorët e piraterisë, të cilët janë më pak të gatshëm të paguajnë për të shmangur reklamimin e muzikës përbëjnë (35% ) ndërsa futbolli (34%). Për qindja e konsumatorëve, të cilët vendosin të pranojnë fushatat e komunikimit kundër piraterisë, është dukshëm në rritje krahasuar me vitin e kaluar, gjë që është një fakt shumë pozitiv që konfirmon se autoritetet në Spanjë duhet të vazhdojë të ndjekë një linjë të tillë.

Gjithsesi, pothuajse të gjithë përdoruesit e internetit e dinë ekzistencën e ofertës së përmbajtjes ligjore në platformat e abonimit dhe modaliteteve të tjera, si Netflix (91%), Spotify (81%), Movistar + (80%) ose HBO (68%), e cila i bën nul arsyet e dhëna nga përdoruesit piratë, të cilët thanë se vazhdojnë të shkelin të drejtën e autorit për shkak të mungesës së një oferte të mirë ligjore dhe me çmime të volitshme. Në këtë drejtim, vlen të përmendet se përdoruesit e internetit që janë piratë dhe gjenden të regjistruar në internet në këto platforma nuk e ndalojnë piraterinë, megjithëse piratojnë më pak në disa sektorë, si muzika.

NDIKIMI NË PUNËSIM DHE TË ARDHURAT SHTETËRORE

Ndikimi i piraterisë në punësim siguron shifra shqetësuese për krijuesit dhe industritë e përmbajtjes. Këto të fundit sot punësojnë rreth 69,861 njerëz nga 99,095 punonjës që punojnë për sektorin e kulturës digjitale, sipas të dhënave të qeverisë spanjolle. Fondi publik në vend duket se ka dështuar në thithjen e fondeve (gati 372 milionë euro për shkak të piraterisë). Kjo do të thotë, se shteti spanjoll ka ndaluar marrjen në vitin 2017, 575 milionë euro për shkak të qasjeve të paligjshme në përmbajtje, me një shumë të akumuluar që nga viti 2012 të 3.347 miliardë eurove.

AKSESI I PALIGJSHËM NË PËRMBAJTJET MUZIKORE

Ka një rritje të lehtë të numrit të individëve që duan të kontribuojnë në zvogëlimin e konsumit të muzikës ligjërisht edhe pse pirateria në këtë fushë përfaqësohet me 23%. Vlen të përmendet rritja e raportit të konvertimit në muzikë nga 7% në vitin 2016, në 10% në vitin 2017, kështu që pavarësisht uljes së piraterisë, humbja në fitime vazhdon të rritet. Numri i konsumatorëve që kanë akses në përmbajtjet e paligjshme është ulur nga 26% në 2016 në 22% në vitin 2017.

FILMAT

Përkundër rritjes së konsiderueshme të ruajtjes së të drejtës së autorit në përdorim të filmave, për qindja e piraterisë në internet, vazhdon të jetë mesatarisht deri në 34%. Kapaciteti i filmave që u aksesua në mënyrë të paligjshme gjatë vitit 2017 ishte 726 milionë, me një vlerë tregu prej 5.725 miliardë euro, krahasuar me 6.935 miliardë eu në vitin 2016. 35% e qasjeve ndodhën ndërkohë që filmi ishte ende në ekranet në kinematë kinema, ndërkohë që kjo përqindje ishte 33 % në vitin 2016.

SERIALET TELEVIZIVE

30% e përdoruesve kanë akses të paligjshëm në serialet televizive, duke përmbledhur 945 milionë episode që luhen ilegalisht ose janë shkarkuar gjatë vitit 2017. Vlera e tyre e tregut është 1.405 miliardë euro. 46% e aksesueshmërisë ka ndodhur gjatë periudhës që episodet ende shfaqeshin në ekranet e televizioneve (39% në vitin 2016).

LIBRA

24% e përdoruesve të internetit shkarkojnë libra në formatin digjital nga platformat e paligjshme, prandaj në vitin 2017 u llogaritën 419 milionë ndërhyrje të paligjshme digjitale në libra me një vlerë tregu prej 3.609 miliardë euro. Më shumë se 41% e aksesueshmërisë materializohen në përmbajtje të botuar në më pak se një vit më parë.

FUTBOLL

16% e përdoruesve të internetit i ndjekin ndeshjet e futbollit në kanale të paligjshme. Prandaj, gjatë 2017, 113 milion ndeshje futbolli janë parë ilegalisht në 10% të familjeve spanjolle, si dhe në 2016.

MASAT QË PRITEN TË MERREN

Masat më efikase kundër piraterisë do të ishin; bllokimi i aksesit në përmbajtjen e faqes dhe penalizimi i ofruesve të internetit. Pas këtyre dy masave, më e mira për të reduktuar shkeljet do të ishte promovimi i fushatave ndërgjegjësuese sociale kundër piraterisë; kjo sugjeron që rritja e bashkëpunimit midis sektorit të përmbajtjes dhe ofruesit të shërbimeve të internetit (ISP) të mund të gjejë mbështetje tek konsumatorët, natyrisht së bashku me një vlerësim pozitiv.