Pink ndërpret koncertin për ta përqafuar një fanse, të cilës i kishte vdekur nëna

Pasi i kishte shtyrë disa koncerte në kuadër të turneut ‘Beautiful Trauma’ në Australi, Pink është kthyer në skenë.
Këngëtarja e popullarizuar amerikane ka marrë vëmendjen me një veprim të sajin në njërin prej koncerteve.

Gjatë performancës së saj në Brisbane, Pink e ndërpreu koncertin pasi i kishte parë disa afishe të krijuar nga fansja e saj 14-vjeçare, Leah Murphy.
Fansja kishte bërë plan që të shkonte në koncert me nënën e saj, Debbie, e cila fatkeqësisht kishte ndërruar jetë.
Në këtë mënyrë, vajza kishte shkuar në koncert me tezen e saj, e cila i kishte ndihmuar me mbishkrimet dhe afishet.
Në njërin prej tyre ishte Leah dhe nëna e saj, ndërsa në tjetrin shkruante: “Përshëndetje, emri im është Leah. Jam 14 vjeçe dhe kam mbetur pa nënën time të bukur. Kam nevojë për një përqafim... të lutem”.
Gjatë gjithë kohës, Leah, tezja e saj dhe fansat pranë tyre i lëviznin afishet në mënyrë që t’i binin në sy këngëtares.
Dhe në momentin kur Pink i vërejti, e ndali koncertin dhe iu afrua vajzës 14-vjeçare për ta përqafuar.
Kujtojmë që arsyeja e shtyrjes së koncerteve të Pink ishte dehidrimi dhe një virozë e stomakut, por ajo ka arritur që të shërohet shpejt. /Telegrafi/































































