LAJMI I FUNDIT:

Pesë veturat më të shtrenjta të të gjitha kohërave

Pesë veturat më të shtrenjta të të gjitha kohërave

Paraja nuk blen lumturinë, por na ndihmon të përballojmë lloje të ndryshme kënaqësish, dhe njëra prej tyre është posedimi i veturave më të mira dhe më luksoze.

Modelet e mëposhtme, megjithatë, janë të rezervuara vetëm për ato me xhepat më të thellë, transmeton Telegrafi.


Ato blihen nga miliarderë apo milionerë që kujdesen vërtet për veturat dhe nuk ikin të paguajnë një shumë të majme për këtë kënaqësi.

Nëse jeni të interesuar se cilat janë veturat e reja më të shtrenjta të të gjitha kohërave, ju sjellim listën më poshtë.

Koenigsegg Trevita

Çmimi: 4,3 milionë euro

Me një prodhim të kufizuar prej vetëm tre njësi, Koenigsegg CCXR Trevita është një nga veturat më ekskluzive të krijuara nga kompania suedeze. Ka një motor të fuqishëm 4.8-litërsh me supermbushje V8 që zhvillon 1018 kuaj-fuqi dhe mund të përshpejtojë në 100 km/h për 2.8 sekonda dhe të vazhdojë të përshpejtojë deri në një shpejtësi maksimale prej 395 km/h.

Pagani Huayra Imola

Çmimi: 4,9 milionë euro

Pagani Huayra Imola është një edicion special i cili është prodhuar vetëm në pesë njësi pas lançimit në 2019. Ka një motor 6-litërsh V12 biturbo të zhvilluar nga Mercedes-AMG me 838 kuaj-fuqi, dhe një peshë totale prej 1246 kilogramë. Përshpejton nga zero në 100 km/h për më pak se 3 sekonda, dhe shpejtësia maksimale e tij është mbi 330 km/h.

Rolls-Royce Sweptail

Çmimi: 11,6 milionë euro

Rolls-Royce Sëeptail është një shembull tjetër se sa larg shkon ekskluziviteti i kompanisë britanike. I prezantuar në vitin 2017, është një coupe elegante që është bërë me porosi, dhe vetëm një njësi është në ofertë. Nuk shquhet për performancën e tij, me motorin V12 6.75 litrash me rreth 460 kuaj fuqi, por dallohet për ekskluzivitetin dhe mjeshtërinë që nxjerr në pah dizajnin e tij.

Bugatti La Voiture Noire

Çmimi: 17 milionë euro

Vetura e dytë më e shtrenjtë e të gjitha kohërave është Bugatti La Voiture Noire, një riinterpretim modern i tipit klasik Type 57 SC Atlantic. E krijuar për të festuar historinë 110-vjeçare të Bugatti-t, kjo veturë unike në botë është e pajisur me motorin e njohur 8.0-litërsh W16 dhe katër turbina me 1500 kuaj fuqi.

Rolls-Royce Boat Tail

Çmimi: 23 milionë euro

Së fundi, ne e përfundojmë këtë listë me veturën më të shtrenjtë të të gjitha kohërave, Rolls-Royce Boat Tail, një kabriolet luksoz i veçantë i ndërtuar me porosi. U deshën katër vjet punë për ta krijuar atë dhe u frymëzua nga lundrimi. Është i pajisur me një motor V12 prej 6.75 litrash me 600 kuaj-fuqi. /Telegrafi/