Kur tek fëmijët kultivojmë aftësi si rezistenca, kurioziteti apo vetbesimi, u ndihmojmë të nisin të ardhmen me më shumë siguri, pavarësisht rrugës që zgjedhin

Fëmijëria është e mbushur me ngritje dhe rënie, nga presionet shkollore te mosmarrëveshjet me shokët. Si prindër, të gjithë dëshirojmë që fëmija ynë të jetë i suksesshëm, në shkollë, në marrëdhëniet me të tjerët, por edhe në planin emocional. Megjithatë, suksesi nuk do të thotë të jesh i përkryer, të kontrollosh gjithçka apo të dish përgjigjet për çdo pyetje.


Suksesi i vërtetë vjen nga brenda, nga tiparet që i ndihmojnë fëmijët të përballen me sfidat, të mësojnë nga gabimet dhe të rriten si njerëz me vetëbesim dhe empati. Nuk ka të bëjë me nota apo superioritet në gjithçka, por me zhvillimin e forcave të brendshme që i ndihmojnë të ecin përpara me guxim, kuriozitet dhe zemër të hapur.

Sipas psikologes Jamie Bloh, ekzistojnë pesë tipare kyçe që bëjnë vërtet ndryshimin. Kultivimi i tyre i jep fëmijës jo vetëm rezultate të mira, por edhe forcë emocionale për jetë, transmeton Telegrafi.

1. Rezistenca

Jeta sjell sfida - rënie, dështime, zhgënjime. Fëmijët që zhvillojnë rezistencë nuk tremben nga gabimet, sepse i shohin ato si mundësi për të mësuar dhe për t’u rritur. Në vend që të dorëzohen, përpiqen sërish. Kjo tipar i ndihmon të përballen me problemet dhe të ndihen më të sigurt dhe më të qëndrueshëm në situatat e përditshme.

Si ta nxitni: Bisedoni me fëmijën për gabimet si pjesë normale të jetës. Ndani përvojat tuaja kur diçka nuk shkoi siç prisnit dhe si e përballuat.

shutterstock

2. Kurioziteti

Fëmijët eksplorojnë natyrshëm botën përreth, dhe kurioziteti është motori i të nxënit. Pyetje si “Pse?”, “Si?” dhe “Po sikur?” nuk janë vetëm të bukura, por baza e zhvillimit të fëmijës. Një fëmijë kurioz nuk kërkon thjesht informacione, por mendon, eksploron dhe fiton një kuptim më të thellë të botës.

Si ta nxitni:  Jepni fëmijës hapësirë për kërkime. Kërkoni përgjigje së bashku, bëni pyetje të hapura dhe tregoni durim kur një pyetje “pse” shndërrohet në dhjetë të tjera.

3. Empatia

Fëmijët me empati kuptojnë më lehtë ndjenjat e të tjerëve, reagojnë me kujdes dhe krijojnë marrëdhënie më cilësore. Ky tipar është veçanërisht i rëndësishëm në botën e sotme, ku komunikimi, puna në grup dhe mirëkuptimi janë themeli i çdo marrëdhënieje të shëndetshme, qoftë në familje, shkollë apo më vonë në punë.

Si ta nxitni:  Flisni për ndjenjat, lexoni libra me personazhe që kalojnë përvoja të ndryshme dhe diskutoni për ndjenjat e të tjerëve. Jepni shembull me empatinë tuaj.

shutterstock

4. Disiplina (ose vetëkontrolli)

Fëmijët që ndihmohen të zhvillojnë disiplinën fokusohen më mirë, përfundojnë detyrat dhe dinë të përballojnë shtyrjen e kënaqësisë. Nuk do të thotë ashpërsi, por forcë të brendshme që tregon se kur është koha për lojë dhe kur për detyra. Disiplina ndërton ndjenjën e arritjes dhe vetëbesimin.

Si ta nxitni:  Vendosni kufij të qartë, por fleksibël. Futni rutinë dhe caktoni së bashku qëllime të vogla e të arritshme. Lëvdojeni përpjekjen, jo vetëm rezultatin.

5. Vetëbesimi

Fëmija që beson në vetvete ka guxim të provojë gjëra të reja, të shprehë mendimet dhe të përballet me dështimin. Vetëbesimi nuk buron nga suksesi, por nga ndjenja që je i dashur, i pranuar dhe i aftë, edhe kur ende nuk di gjithçka.

Si ta nxitni:  Inkurajoni fëmijën, mbështeteni në eksplorim dhe festoni hapa të vegjël përpara. Jepni mundësi që të zgjidhë problemin vetë para se t’i ofroni ndihmë. /Telegrafi/