Drita është kampion i Kosovës për edicionin 2024/25 në Albi Mall Superligë. Gjilanasit kanë arritur të sigurojnë matematikisht titullin e kampionit katër xhiro para fundit të sezonit.

Ata kanë grumbulluar 69 pikë, 12 më shumë se Ballkani, i vendit të dytë.


Pasi janë shpallur kampionë të Kosovës, Drita do të jetë skuadra e vetme kosovare që do të marrë pjesë në kualifikimet për Ligën e Kampionëve.

Telegrafi jua sjell pesë pikat kyçe që e dërguan Dritën drejt titullit kampion.

1. Trajneri kampion, Zekirija Ramadani

Zekirija Ramadani është shpallur kampion për herë të katërt, me katër klube të ndryshme. Ai fitoi tituj me Trepçën ’89, Feronikelin, Prishtinën dhe tani me Dritën.

Ai dominoi kampionatin, ndërsa ishte i suksesshëm edhe në Evropë, duke u eliminuar nga gjiganti polak Legia Varshavë në fazën play-off.
Ramadani luajti futboll të bukur dhe dominues, me formacione që ndryshonin në rreshtim, varësisht nga interesat e trajnerit shkupjan, i cili edhe njëherë konfirmoi se është ndër më të mirët që kanë kaluar në futbollin tonë.

2. Kryesia që nuk dorëzohet

Drita ka një kryesi të konsoliduar, me Flamur Bunjakun dhe Valon Murselin, që tash e nëntë vjet janë në krye të klubit.

Tre tituj kampioni në këtë periudhë e kanë kthyer Dritën në një nga klubet më të mëdha në vend. Edhe pse titullit iu afruan disa herë vitet e fundit, ata nuk u dorëzuan dhe pas pesë vitesh e kthyen trofeun në Gjilan.

Ata vazhdojë tu besojnë të deleguarve të tyre në klub, ndërsa rasti me drejtorin sportiv Valon Murseli dhe tifozët e tregon këtë më së miri.

3. Mbrojtja më e mirë e kampionatit

Drita mund të mburret me të gjithë ekipin, por reparti i mbrojtjes ishte mbi të gjithë.

Faton Maloku, Besnik Krasniqi, Camilo Mesa, Egzon Bejtullai dhe Reddy Ovuka ndërtuan një mbrojtje të fortë, më të mirën në kampionat.

Edhe emrat që luanin herë pas here si Hasan Gonda, Blerton Sheji dhe Melos Zenunaj, sa herë që aktivizoheshin, tregonin se ishin të denjë për këtë ekip kampion. Drita ka pranuar vetëm 21 gola deri tani.

4. Rivalët që nuk arritën ta rivalizonin

Drita ruajti boshtin e vitit të kaluar dhe bëri disa përforcime të rëndësishme në afatin kalimtar veror, çka bëri që gjilanasit të ishin në start më mirë se të tjerët.

Ballkani, që pritej të ishte rivali kryesor, nuk arriti të gjejë zëvendësime për lojtarë si Armend Thaqi, Nazmi Gripshi, Meriton Korenica, Lumbardh Dellova, ndërsa largimi në janar i Lindon Emërllahut la zbrazësi të mëdha.

Llapi e nisi keq dhe vazhdoi po ashtu, ndërsa Prishtina dhe Gjilani nuk ishin rivalë të denjë.

5. Lojtarët e kthyer në senatorë

Faton Maloku, Rron Broja, Albert Dabiqaj, Besnik Krasniqi, Egzon Bejtullai, Almir Ajzeraj dhe Arb Manaj ishin disa nga pikat kyçe të Dritës këtë sezon.

Ata u kthyen në lojtarë “senatorë”, që merrnin përsipër rolin e kapitenit kur kishte nevojë dhe mbronin ekipin me përgjegjësi.

Loja e fortë dhe përvoja e tyre bënë që Drita të sigurojë titullin kampion katër xhiro para fundit të sezonit. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app