Më 11 tetor, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka mandatuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, që të formojë Qeverinë e re të vendit, tetë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme.

Pavarësisht se kanë mbetur vetëm edhe pesë ditë afat për ta paraqitur përbërjen e re të Qeverisë, deri më tani nga LVV nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret.


Nuk është raportuar për ndonjë takim apo negociatë me subjektet e tjera politike që do të mundësonte ndërtimin e një koalicioni qeverisës.

Kjo, pasi LVV-së i nevojiten të paktën 61 vota në Kuvend për të formuar Qeverinë, ndërsa në zgjedhjet e 9 shkurtit, kjo parti ka siguruar 48 ulëse.

Telegrafi ka pyetur në Lëvizjen Vetëvendosje lidhur me zhvillimet rreth krijimit të qeverisë së re, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.

Po ashtu, as Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe as Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk janë deklaruar mbi këtë situatë dhe arsyet e vonesës në formimin e Qeverisë.

Ndërkohë, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë bërë të ditur se, sipas deklarimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ai i ka siguruar numrat e nevojshëm, prandaj tashmë është në dorën e tij që ta formojë Qeverinë e re.

“Nuk po shohë ndonjë angazhim të Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e Qeverisë. Albini pat deklaruar se i ka votat për qeveri, e ku janë tani?”, deklaroi deputetja Time Kadrijaj për Telegrafin.

Ajo gjithashtu deklaroi se partia e saj nuk do të pranojë të jetë pjesë e Qeverisë së re.

Edhe njohësi i çështjeve politike, Dritëro Arifi, thotë se nuk po sheh asnjë angazhim nga LVV për formimin e Qeverisë së re.

“Asnjë takim serioz publik as për Qeveri as për përmbajtje as për tema, po i bie që asnjëra palë nuk po dëshiron ta marrë pushtetin. Pra, po pretendojnë kinse po duan ta marrin pushtetin. Në një farë mënyre, LVV po kërkon njëfarë lloj justifikimi, që të ankohet për çfarë do rezultati që do të këtë në fund. Esenca është që nëse vijnë zgjedhjet e reja për ta gjetur kujdestarin që ka penguar në planifikimin e tyre”, theksoi ai.

Arifi tha se nuk beson që LVV mund të arrijë ndonjë koalicion me partitë shqiptare, por mund të bëjë ndonjë marrëveshje me ndonjë individë.

“Sa i përket partive shqiptare, nuk besoj që me asnjërën mund të arrijnë një kompromis normal, pasi që ka kaluar shumë kohë e gjatë dhe çdo marrëveshje që tashmë mund të bëhet, mund të bëhet vetëm me individë të caktuar që të vetmin qëllim e kanë është interesi personal. Tashmë çdo gjë që është bërë një pazar i ndyrë”, potencoi ai.

Ndryshe, Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare në shkurt të këtij viti dhe ende nuk ka qeveri të re të formuar nga zgjedhjet e 9 shkurtit. /Telegrafi/