LAJMI I FUNDIT:

Përtej Kretës

Përtej Kretës

Jorgji Kote

Padyshim që bisedimet e Kretës fundjavën e kaluar, ndërmjet ministrit të Europës dhe Punëve të Jashtme Ditmir Bushati me homologun e vet grek, Kotzias, ishin hap dhe veprim i duhur madhor politiko-diplomatik. Mbi të gjitha, ato i kanë dhënë një shtysë të fuqishme demarsheve të mëtejshme për zgjidhjen e çështjeve të ndërlikuara, si ato të trashëguara ashtu dhe të krijuara vitet e fundit nga qeveritë paraardhëse, që janë në opozitë në të dyja vendet. Ndaj, të dyja palët meritojnë përgëzimet më të mira për këtë nismë të rëndësishme dhe premtuese.

Për të ardhur deri në Kretë, diplomacia jonë zyrtare në bashkëpunim me dikasteret e interesuara ka ndërmarrë shumë hapa dhe lëvizje të dobishme dhe jo të lehta, mes trysnish/pengesash të shumta. Edhe pse sipas parimit “tërhiq e mos këput”, të diktuar kryesisht nga nevoja për të mos përkeqësuar më tej statuskuonë ndërmjet dy vendeve fqinj, “Menuja” e problemeve të diskutuara në Kretë, jo më me logjikën e forcës, por me forcën e logjikës tashmë njihet; ajo është tejet e ngarkuar dhe e ndërthurur me shumë elemente politike, ligjore, sociale, ekonomike, etj. Pa dyshim përfshirja e çështjes çame është hap tjetër inkurajues.

Megjithatë, parë nga këndvështrimi i diplomacisë reale, është naivitetet i madh të kërkosh rezultate konkrete apo sukses në një vizitë të kësaj natyre, apo të pretendosh se tematika e saj “djegëse” mund e do të zgjidhet brenda një muaji apo viti dhe ca më pak e gjitha njëherësh. Kushdo që e njeh dhe ka punuar në këtë fushë e di mirë se diplomacia i zgjidh problemet një e nga një, duke i hapur rrugën njëra- tjetrës, me “nge” dhe jashtë çdo lloj trysnie/paragjykimi. Ndryshe, ashtu si ka ndodhur pa shkuar më larg 10 vjet më parë, hapat e nxituara në një element të caktuar do ta kthenin në bumerang ose vononin ndjeshëm gjithë axhendën diplomatike, përfshirë dhe anëtarësimin në BE.

Kësisoj, suksesi dhe rezultati më i madh i Kretës është konfirmimi i frymës, dëshirës dhe vullnetit politik të të dyja palëve për bashkëpunim të qëndrueshëm e jo konjunkturor, duke shmangur premisat dhe precedentët e reja negative. Kjo u vërejt qysh në profilin modest të protagonistëve të këtij takimi, larg bujës/zhurmës, euforisë dhe tamtameve të mëparshme. Po aq e rëndësishme është se së shpejti do të ketë takime të tjera post-Kretë në Tiranë e më tej.

Tani, çështja shtrohet që të mos na ikë momenti nga duart; duke e lënë tematikën konkrete, hartat, kodet, traktatet, etj. në dorë të ekspertëve dhe agjencive përkatëse që të vijojnë punën post-Kretë, suksesi i vërtetë i këtij procesi kërkon domosdoshmërisht rikrijimin dhe konsolidimin e truallit, terrenit, mjedisit dhe klimës së duhur politike mes të dy vendeve tona. Që të ngushtohen në minimum hapësirat e veprimit për elementë dhe forca që bien ndesh me vlerat, parimet dhe interesat, pse të mos e themi, të dy popujve tanë miq.

Mirëpo këtë komponent madhor dhe shumëdimensional nuk mund ta jetësojë dot asnjë lloj diplomacie, sado e aftë që të jetë. Për më tepër që sfidat madhore në marrëdhëniet greko-shqiptare i kalojnë caqet e diplomacisë klasike shtetërore; ato kërkojnë krijimtari, iniciativë, vizion, guxim dhe frymë të vërtetë evropiane me mbështetjen e fuqishme dhe të “variabëlve “ të tjerë po aq të efektshëm – diplomacinë parlamentare, ekonomike, publike, kulturore dhe qytetare; të kombinuara në konceptin/praktikën moderne të “multi-track diplomacy” ose diplomacia integrale, tejet “në modë” sot. Kjo bëhet dhe më e domosdoshme kur vjen fjala për vende të tilla fqinje, si Greqia, me të cilën kemi shumë më tepër tradita/interesa të përbashkëta se sa vija ndarëse. Nevoja e lartpërmendur bëhet dhe urgjente pasi bilanci në këto fusha të paktën gjatë 15 viteve të fundit ka qenë i varfër dhe larg mundësive reale. Le të jemi më konkretë duke shtruar këto pyetje/çështje.

Duke vlerësuar hapat në disa drejtime fusha të tjera, si dhe sa ka kontribuar në këtë fushë diplomacia parlamentare e të dy vendeve gjatë viteve të fundit, veç ndonjë vizite të nivelit të lartët, apo mbledhjeje të Komisionit të Jashtëm? A është në nivelin e dëshiruar roli i deputetëve në përgjithësi dhe atyre të minoritetit grek në veçanti në këtë fushë? Çfarë nismash/demarshesh ka ndërmarrë grupi përkatës parlamentar i miqësisë me homologët e vet grekë, kur jo në një rast kanë qenë deputetë ata që i kanë “fryrë zjarrit” nacionalist?

Të pashfrytëzuara kanë mbetur dhe hapësirat e shumta që krijon diplomacia ekonomike/sipërmarrjes. Ndonëse kemi dhjetëra kompani dhe firma aktive me tregti dhe investime, banka, dhoma tregtie, panaire, etj. roli i tyre jashtë profilit komercial ka qenë pothuajse i papërfillshëm. Sa për kujtesë, vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve 45-vjet më parë, erdhi dhe me përfshirjen e Dhomave të Tregtisë të dy vendeve në procesin e bisedimeve. Gjithashtu, Panairi Ndërkombëtar i Selanikut ishte një dritare e dobishme dhe për njohjen/shkëmbimin e vlerave kulturore, shpirtërore dhe artistike. Sepse mallrat dhe shërbimet, veç aspektit material dhe tregtar, kanë të mishëruar në to dhe vlerat/mesazhet e shumta të mishëruara në to.

Edhe më i dobët ka qenë profili i diplomacisë publike. Këtu kemi parasysh në radhë të parë shtypin dhe median, por dhe publikun e gjerë – OJQ-të, shoqërinë civile, arsimin, historinë, etj. Në vend të njoftimeve e reportazheve për aspekte pozitive që bashkojnë të dy vendet, në to mbizotëron shpesh fryma ndarëse, negativizmi dhe nihilizmi.

Publiku i të dy vendeve “bombardohet” kryesisht edhe pse jo pa arsye me lajme dhe njoftime mbi krime, bllokime në pikat kufitare, protesta në Himarë, largime të fëmijëve të dalluar shqiptarë nga paradat festive në Greqi, nota proteste, etj. Kur ka aq shumë vend dhe për pasqyrimin e dukurive pozitive jo të pakta në të dy vendet e që do të ngrohte klimën e acartë në shumë raste.

Edhe më i vakët është roli i diplomacisë së kulturës dhe asaj qytetare, i letërsisë dhe arteve, i profesorëve, historianëve, shkencëtarëve dhe sportistëve si dhe personaliteteve VIP të të dy vendeve. Këtu kemi parasysh në radhë të parë mirëkuptimin dhe krijimin e besimit te njeri-tjetri.

Në këtë drejtim kanë ndikimin e tyre të pazëvendësueshëm kultura, koncertet, spektaklet, teatri dhe librat, ndeshjet dhe garat sportive, etj.

Pa mohuar disa përpjekje, gjatë viteve të fundit shumë pak kemi parë e dëgjuar për shkëmbime grupesh dhe ansamblesh artistike, ekspozitave, galerive, vizita shkrimtarësh, aktivitete të përbashkëta, edhe pse “sebepet” nuk kanë munguar.

Dikush mund të thotë se të kërkosh gjëra të tilla në këtë mjedis dhe gjendje ku ndodhet dialogu politik ndërmjet dy vendeve është “luks” madje i tepruar. Mirëpo, historiku i gjatë i marrëdhënieve dypalëshe shqiptaro – greke tregon se vullneti për dialog politik nga të dyja palët është shfaqur pikërisht në momentet e krizave dhe konflikteve. Kështu, kërcënimet nga qarqe të caktuara nacionaliste greke në vitin 1967-68 ia lanë vendin shumë shpejt demarsheve që çuan në rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike në vitin 1971. Ajo klimë dhe atmosferë pozitive u “çel” më tepër falë dhe një “begatie” aktivitetesh të shumta kulturore, artistike, sportive, sociale mes të dy vendeve. Kështu, në vitin 1975 erdhi në Shqipëri Marinela e famshme greke që me këngët dhe mesazhet miqësore që përcolli kudo dhe, që i shpreh dhe sot e kësaj dite, ka lënë mbresat më të mira nga ajo vizitë dhe koncertet në Shqipëri. Pas saj erdhën disa yje të tjerë të muzikës së bukur greke, pati shkëmbime ansamblesh, duke përfshirë atë të Dropullit, ekipesh sportive, shkrimtarë, gazetarë, etj. Të gjithë lexonim me endje mbresat dhe reflektimet miqësore për qytetërimin helen të Kadaresë së madh pas vizitave në Greqi me raste kongresesh etj.

Pas acarimit të këtyre marrëdhënieve në vitin 1983, sërish politika dhe diplomacitë e të dy vendeve u vunë në lëvizje dhe e përmbysën për të mirë atë situatë të nderë, gjithnjë me mbështetjen e kulturës dhe artit. Në dhjetor 1983, në prani të autoriteteve të larta të të dy vendeve u inaugurua mes haresë, gëzimit dhe tingujve të muzikës popullore Pika Kufitare e Kakavijës. Disa vite më vonë, ministrat e jashtëm të asaj kohe, përkatësisht i ndjeri Reis Malile dhe Kostas Papulias, më vonë president i Republikës greke dolën së bashku për gjueti në jug të Shqipërisë, hera e parë që praktikohej një gjë e tillë në diplomacinë tonë. Ndërsa më 1987, qeveria e Papandreut, pas presioneve të shumta të palës sonë, mori vendimin për heqjen e gjendjes së luftës; edhe pse masë gjysmake, ishte shenjë e vullnetit të mirë të palës greke. E njëjta gjë ndodhi dhe pas krizës së vitit 1993 deri te nënshkrimi i Traktatit të Miqësisë në vitin 1996.

I përmendëm këto shembuj jo për nostalgji, por më shumë për të theksuar se kur këto forma pune u përdorën gjatë dekadave të kaluara kur Shqipëria ishte vend i mbyllur, deficiti në ditët e sotme është i pajustifikueshëm. Sepse tashmë bëhet fjalë për dy vende aleate në NATO dhe kur Shqipëria është kandidat për në BE. Sepse ka ende rezerva që komunitetin prej qindra mijëra shqiptarë që jetojnë e banojnë në Greqi dhe minoritetin e grek në vendin tonë t’i konsolidojmë si ura të fuqishme lidhëse e jo t’i lëmë si mure ndarës.

Ja pse agjenda e larmishme e dialogut politik dhe marrëdhënieve miqësore të bashkëpunimit me Greqinë fqinje shkon përtej Kretës. /GSH/