LAJMI I FUNDIT:

Person në shtegtim

Person në shtegtim

Zef Paci

Lekë Tasi, një piktor tashmë i njohur për publikun e interesuar të artit, ekspozon në Art House të Shkodrës. Është ftuar me idenë se kjo hapësirë ka një tipar që i përshtatet jetës dhe krijimtarisë së tij në dozën e intimitetit dhe të shfaqjes. Duke pritur krijimtarinë e një personi që ka pasë një jetë me ndeshtrasha të shumta, është e mira të thuhen dy fjalë për to.


Fëmijërinë e përjetoi nëpërmjet vuajtjeve persekutuese që kalonte familja e tij të cilën ardhja e komunizmit e gjeti të kapërthyer në krye të jetës politike të vendit. Ajo periudhë, e mbushur plot me zhvendosje, trysni e dhunë, kaloi bashkë me dyshimet mbi cilësitë e qëndrimet e veta por pa ia fikë frymëzimin e buzagazin djaloshar. Droja, modestia, vështrimi kritik i vetvetes, pohimet e lehta të asaj kohe janë fundja, refuzimi i tij si ai i shkruesit të Bartleby në tregimin e Melville që për t’i shpëtuar depresionit, i kundërvë realitetit pohimin e një mohimi: “Unë do të preferoja të mos…”. Pohimi i tij ishte në njëfarë mënyre një refuzim.

Lekë Tasi

Mohimi i lartpërmendur në rastin tonë interpretohet pozitivisht duke dëshmuar se prej momentesh të vështira psikologjike mund të rrjedhin forma të larta shprehjeje.

Orvatjet e tij të para artistike, të shfaqura në disa drejtime, zunë fill e vijuan për njëfarë kohe në një gjendje shtërngese të madhe e megjithatë, u zhvilluan me një lirshmëri të madhe. Ai nuk kishte për t’ia treguar kujt, nuk duhej, përkundrazi.

Që adoleshent kishte hyrë në fushën e muzikës, e ndër vite kishte fituar përvojë e filloi të luante si violonçelist në orkestra të rëndësishme. Kjo gjë ia përforconte iluzionet pozitive të të riut përkundrejt premisave ogurzeza të prejardhjes familjare. Më pas fillon e merr disa mësime mbi pikturën e teknikat piktorike si një fillestar, por i gjendur në një situatë persekutimi e përjashtimi, ndjek dora-dorës një rrugëtim për hesap të vet, duke shtjelluar një vizion e stil personal që i largohet realitetit . Ai jetoi dhe punoi i shkëputur prej rrymës së vetme sunduese në Shqipëri, realizmit socialist, duke u gjendur brenda vorbullës së saj. Pikturat e tij nuk bartin gramatikën e veprave klasike apo akademike por moderniste. Arriti t’i qëndrojë pa u molepsur realitetit e shkollës materialiste duke u impostuar estetikisht jo nga akademikja por nga një lloj primitiveje, jo si mungesë, por si zgjedhje. Kjo zgjedhje e tij u përvijua thuajse në vetmi , natyrisht me një dozë kuturisjeje e kokëshkrepjeje.

Përfundimisht, formimi dhe përkatësia e tij në kohën e regjimit komunist janë ato të një outsider-i vetmitar. Outsider jo për shkak të qenit një amator, por prej të nxjerrurit jashtë prej sferës normale të jetës dhe të artit, si pjesëtar i një shtrese të deklasuar. E megjithatë, piktura, muzika, letërsia e teatri, bashkë me besimin, do të përbëjnë substancën e ushqimit shpirtëror, intim të tij. Shtysat shpirtërore e intelektuale që ofronin ato qenë vendimtare për shtjellimin e artit të tij.

Në hapësirën e Art House ekspozohen përzgjedhje nga dy cikle, një me piktura dhe një me kolazhe.

Kolazhet janë realizuar rreth vitit 1974 ndërsa shumica e pikturave të përzgjedhura, mbas vitit 2000 (përveç tabllose me një manifestim dramatik me diktatorin të realizuar në 1974). Koha e realizimit të kolazheve përkon me fundin e një klime iluzore liberale në arte që në fakt rezultoi një kurth. Ka një qëndrim më hedonistik tek kolazhet, e pikërisht atëherë kur shtypja social-politike ishte më e fortë, si për të përdorë estetikën si qëndresë kundrejt trysnisë ideologjike . Fundja, si mund të jetonte e vepronte një optimist si ai në atë realitet kobzi e afatgjatë përveçse duke e injoruar. Ndërsa në ciklin e realizuar mbas rënies së diktaturës komuniste, ashtu si dhe në shkrimet e tij, ka një gjurmë më të ndjeshme sociale, por kjo pohon pikërisht krizën e pasojat që shkaktoi kërkesa e asokohshme për edukim klasor me anë të artit.

Lekë Tasi punon me linjën dhe ngjyrën duke evokuar një fashë të madhe ndjesish lirike që shkojnë prej haresë, dashurisë e dehjes me natyrën, në një melankoli të butë e deri te dëshpërimi i pashpresë. Është për t’u theksuar fakti se ai e shihte muzikën si gjeneruese vizionesh. Deformimi muzikor i linjave dhe prekja e ndjeshme me ngjyrat plot vijëzime dhe pikëzime i kthen ato njëfarësoj edhe në karaktere fantazmash herë sensuale e herë të frikshme. Kjo epshore e këndshme, pasuria e përzierjes së ngjyrave e mbështetur në trajtimin muzikor i heq disave masën e peshën e rëndesës dhe i jep një hir lehtësie e shpengimi. Një lloj ëndjeje (më duket se ky është rasti i ëndjes së njëmendtë, që thellë-thellë vjen prej një urgjence të brendshme) është e pranishme edhe kur veprat përshkohen nga humore të ndryshme. Ajo ndjehet si kur piktura fluron një frymë poetike pozitive, humori, ashtu edhe ironie, zhgënjimi, hidhërimi në kontekste të ndryshme social-kulturore e politike. Ndjehet nën stimujt e shumëllojshëm kulturor e intelektualë të kryeqytetit si edhe ato të jetës së përditshme të një fshati të humbur. Ndjehet në prekjen e penelit, në mënyrën se si i vizaton e pikturon figurat, e kur pret e ngjit letrat e kolazheve. Me një spontanitet personal larg rregullave, pikturat e Lekës mbartin një ekspresivitet pulsues e ndonjëherë mbrrijnë kufijtë e fantazmagorisë e duke u vendosë në një kohë të ndërmjetme agu mes realitetit dhe ëndrrës .

Përzgjedhja e pikturave ndalet në personën njerëzore si qenie në vetmi, në marrëdhënien në çift dhe atë në grup, herë si aktor e herë si spektator. Atë e kanë shoqëruar gjatë jetës vetmia por edhe turma.

Qeniet njerëzore të pikturuara prej tij bartin herë njëfarë ëmbëlsie e herë njëfarë tragjizmi. Ato janë një mbrujtje prej realitetit dhe përjetimit të tij. Personat i ka gjetur ndër pjesëtarët e familjes, të afërmit e ndër njerëzit me të cilët e ka ndeshur jeta (ai thotë se elementi social qëndron në shikimin e tjetrit e jo të vetes). Ato mund të gjenden në rrugë, në takim a në një autobus, (si njerëz të cilët janë marrë e po deportohen kushedi se ku me udhëtimin që u ka caktuar jeta, bashkë me prirjet e dëshirat, zhgënjimet e frustrimet). Mund të gjenden në det, në një sallë teatri a kinemaje, në një tubim politik, në një tavolinë kafeneje a në kuzhinë e deri edhe në shtrat. Mund të themi se përditshmja është një preferencë e tij.

Ai ka ditur të gjejë çfarë rri e fshehur nën dukjet e përditshme. Te grotesku dhe teatraliteti, të shtyrë në kufijtë e satirës dhe karikaturës por plot ngrohtësi njerëzore e devocion, ai zbulon mjetet e shprehjes përshtat temperamentit dhe prirjeve të brendshme në një kontekst si i joni. Gjendjet dhe grimasat e atyre personave, gjestet e tyre, të një performance ndërmjet të rëndomtës e simbolikes, janë një shenjë në imazherinë e tij. Rrekja e tij është të paraqesë esencën e qenies njerëzore në dukjen e jashtme të personës, që e jashtmja dhe e brendshmja të jenë një. Përzgjedhja dhe trajtimi i subjekteve ndryshe e jokonvencionale i ndih të evokojë në një botë jo fort të ndjeshme skena plot emocion.

Në veprën e tij piktorike, edhe pse e krijuar në një kontekst të përveçëm, ndjehet një preokupim i brendshëm, universal. Drama e personazheve në pikturë ndoshta shoqërohet edhe me atë çka i ka munguar në jetë e prandaj ai duke pikturuar e refuzon atë jetë. Fundja në një pikturë, ndryshe prej shkrimeve të tij, shumë gjëra mbesin të pambyllura: Ne nuk mund ta dimë p.sh. nëse çifti në mes të rrugës janë takuar e lidhur bashkë apo ka qenë veç ai afrim a shkëmbim vështrimesh, aty përjetojmë momentin kur ato janë afruar me njeri tjetrin pa zhvillimin e mëtejmë, si diçka ende e mundshme. Këtë mund ta bëjë një person që më të shumtën, e ka shijuar të bukurën e jetës nëpërmjet artit.

Në fund të mbramë, ndjejmë se Lekë Tasi ka qenë, edhe në situatat e vështira të jetës e vijon të jetë prapë, një optimist i pandreqshëm. Këtë ndjesi ta përçon edhe kur e takon. Edhe pse në bisedat e tij mund të flasë për konspiracione djallëzore, mungesë demokracie e dialogu etj., ai e ka shuar mërinë ndaj të tjerëve. Sa herë e kam takuar më duket se ruan brenda vetes një gjendje të përhershme devocioni, energjie e hiri. Nganjëherë, shija e arrirë në pavetëdije mbas njëfarë kohe, nuk dallon kthjelltas nëse ka mbetur prej takimit me piktorin apo me pikturat e tij. Për këtë ai dhe piktura e tij ruajnë diçka prekëse.