Përshëndetet anulimi i vizitës së Sejdiut në Maqedoni

Sipas përfaqësuesve të partive politike, ftesa e tashme e presidentit maqedonas është një tjetër përpjekje për përuljen e institucioneve të Kosovës, pas përuljes që u tentua t’i bëhet Kosovës me (mos)ftesën që iu bë presidentit Sejdiu me rastin e inaugurimit të presidentit të ri maqedonas.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Ramë Buja, e ka quajtur të drejtë vendimin e presidentit, duke thënë se Kosova nuk është e interesuar për prishje të marrëdhënieve, por kërkon respektimin e institucioneve të saj nga vendet fqinje.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka përshëndetur vendimin e presidentit Sejdiu, duke thënë se ai është një vendim i drejtë dhe i duhur, ngase ftesa ka qenë zyrtare dhe do të duhej trajtohej si e tillë.
Edhe opozita e ka mbështetur vendimin e presidentit Sejdiu, duke thënë se institucionet e Kosovës duhet ta respektojnë vetveten, në mënyrë që pastaj të respektohen edhe nga të tjerët.
Shefi i GP të Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, ka thënë se e mbështet presidentin Sejdiu në këtë rast edhe si qytetar i Kosovës, por edhe si deputet, për shkak se ftesa nuk ishte e karakterit zyrtar shtetëror, ashtu siç i bëhet presidentit të një vendi, por ishte më tepër një vizitë gjysmëzyrtare dhe gjysmë private.
Shefi i GP të Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Lulzim Zeneli, ka vlerësuar presidentin Sejdiu për vendimin që ka marrë, mirëpo ai ka thënë se kjo është më e pakta që mund të bëjë, ngase sipas tij, institucionet e Kosovës po sillen çuditshëm dhe në mënyrë joserioze ndaj politikës së jashtme, andaj dhe po trajtohen në mënyrë të tillë.
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka anuluar vizitën e paraparë për sot, për shkak të mospërgatitjes zyrtare nga ana e Maqedonisë dhe për shkak të mos trajtimit të kësaj vizite në mënyrë zyrtare, siç i bëhet një presidenti të një vendi. /rtv21/













































